Izrael, ushtria qëllon mbi kampin palestinez

26/08/2013 15:35

Forcat izraelite të sigurisë hapën zjarr ndaj një grupi palestinezësh në një kamp refugjatësh këtë të hënë, duke vrarë të paktën dy prej tyre dhe plagosur disa të tjerë.

Zyrtarë izraelitë dhe palestinezë konfirmuan njëkohësisht ngjarjen, por dhanë versione të ndryshme për faktet dhe kronologjinë e saj.

Sipas versionit të Tel Avivit zyrtar, ushtarët kishin arrestuar një të dyshuar si terrorist në Ramallahun juglindor, kur disa qindra palestinezë u ngritën në protesta dhe ata hapën zjarr ndaj disa elementëve që linçuan trupat, duke vendosur në rrezik jetën e ushtarëve.

Deputeti palestinez, dr. Mustafa Barghouti dha një tjetër version të ngjarjeve, duke e konsideruar operacionin izraelit si një akt të qartë agresioni.

Ai akuzoi ushtrinë izraelite se kishte bastisur shtëpi private dhe plagosur shtetas palestinezë, brenda shtëpisë së tyre.

Sipas burimeve palestineze, janë tre personat që humbën jetën në këtë operacion, ndërsa 19 të tjerë mbetën të plagosur.

Ngjarje të tilla dëmtojnë rëndë shpresat për rikthimin e bisedimeve të paqes, midis Izraelit dhe Palestinës.

Top Channel