F1, Vettel: Nuk kam objektiv historinë

26/08/2013 16:55

Piloti gjerman, Sebastian Vettel, i cili i është drejtuar titullit të tij të katërt botëror radhazi, deklaroi në një intervistë pas suksesit në Çmimin e Madh të Belgjikës se asnjëherë nuk ka menduar për emrin që do të lërë pas në historinë e Formulës 1.

Një tjetër gjerman, Micheal Schumaker, është mbajtës i rekordit absolut të pilotit më të suksesshëm ndonjëherë, me shtatë tituj botërorë dhe Vettel, nëse do të vazhdojë me këtë hegjemoni që ka vendosur në sport edhe për disa vite në vazhdim, duket në gjendje që t’ia kalojë bashkëkombasit të tij legjendar.

“Historia nuk është një objektiv real dhe çdo krahasim që më bëjnë me Schumaker më duket qesharak”, deklaroi Vettel.

“Të shndërrohem në më të titulluarin ndonjëherë nuk është se do të më bënte kampionin absolut të historisë. Suksesi që Michael arriti gjatë karrierës është i jashtëzakonshëm dhe kur dëgjoj të krahasohem me atë, më duket qesharake. Unë jam duke kaluar disa vite shumë të mirë, por as më shkon në mendje të krahasohem me të”, shtoi Vettel.

I pyetur për pilotin që në sezonin e ardhshëm do të mbërrijë në skuadrën e Red Bullit, Vettel garantoi se nuk është interesuar ndonjëherë për këtë gjë, pasi “do të jetë një koleg me të cilin do të bashkëpunojmë në të njëjtën mënyrë, pavarësisht emrit të tij”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA