
Raporti i parë i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, që nga zgjedhja e presidentit të ri iranian, është plot dritëhije.
Në raportin e publikuar nga agjencia që vepron nën tutelën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thuhet se Republika Islamike ka vazhduar përparimin drejt pasurimit të uraniumit dhe se me vënien në punë të centrifugave të gjeneratës së re është në gjendje të prodhojë pluton.
Prodhimi i plutonit, sipas perëndimit, mund të çojë në prodhimin e armëve bërthamore, gjë që Teherani e mohon duke deklaruar se programi i tij bërthamor është tërësisht për qëllime paqësore.
Pozitive në raporti shihet reduktimi i rezervave bërthamore, hap që mund të lehtësojë bisedimet mes ndërkombëtarëve dhe Teheranit.
Irani prej vitesh është vënë nën sanksione të forta ndërkombëtare për shkak të programit të tij bërthamor. Gjuha e ashpër e ish-presidentit Mahmud Ahmedinexhad i përkeqësoi ato dhe zgjedhja e Hassan Rohani si president i ri i vendit ka rritur shpresat për uljen e palëve në të njëjtën tryezë.
Vetë Rohani gjatë fushatës premtoi me shumë transparencë sa i përket programit bërthamor duke u zotuar gjithashtu se do të punojë me ndërkombëtarët për heqjen e sanksioneve ndaj vendit të tij.
Top Channel