Bëhet fjalë për pronarë të bizneseve të vogla, nëpunës të sektorit privat që pushohen nga puna, punëtorë të thjeshtë, pensionistë dhe të rinj, që tani jetojnë nën nivelin e varfërisë.
Sipas reportazhit të gazetës, qindra prej tyre telefonojnë në zyrat e shërbimeve sociale të Bashkive, duke kërkuar disa racione me ushqime, që do t’i ndihmojnë përkohësisht të kalojnë disa ditë, me shpresën se do të gjejnë punë në të ardhmen.
Madje, sipas artikullit, janë të shumtë ata, që dalin orët e natës për të mos i njohur dhe kërkojnë pak ushqim në kazanët e mbeturinave, pranë restoranteve apo supermarketeve.
Gjendja e tyre është tragjike dhe, fatkeqësisht, një pjesë e mirë e tyre, që është dhe më e ndjeshmja shpirtërisht, zgjedh rrugën për t’i dhënë fund jetës, pasi nuk përballon dot poshtërimin.
Sipas drejtoreshës së Shërbimit Mjeko-ligjor në Patra, Agjeliki Tziola, kryesisht këta persona i përkasin grupit të njerëzve, që kanë humbur punën në vitet e fundit, në qytetet e Greqisë Perëndimore, si Janina, Patra, Arta, Follorina etj, ku dhe shënohet një rritje prej 30% e vetëvrasjeve.
Për fat të keq, administrata greke nuk bën asgjë për përballimin e këtij fenomeni të përhapur në masë.
Specialistët paralajmërojnë se vetëvrasjet pritet të kenë një përshkallëzim edhe më të madh, pikërisht pas muajit shtator, kur Athina zyrtare, sipas premtimeve ndaj ekspertëve të Trojkës, do të fillojë të zbatojë pushimet nga puna të mbi 25,000 nëpunësve të administratës shtetërore, deri në fund të vitit 2014.
Top Channel