
E kanë quajtur “Puzzle”-i i STAS-it me 600 milionë kopje.
Për 40 vjet radhazi, Ministria e Sigurimit Shtetëror të RDGJ-së ka spiunuar qytetarët e saj, i ka keqtrajtuar dhe të dhënat – procesverbale të marrjes në pyetje, letra të dërguara me postë, dokumente për spiunazh dhe biznes me Perëndimin, – i ka ruajtur në mijëra dosje.
Që puna e tyre të mos zbulohej, bashkëpunëtorët e STAS-it u përpoqën të zhduknin gjurmët, që në muajt e parë pas rënies së Murit të Berlinit, në 1989-n. Ato që nuk arrinin të zhdukeshin me grirësen e letrave – thotë “Deutsche Welle”, griseshin me dorë.
Megjithatë, në të gjithë vendin pati njerëz, të cilët u kujdesën të mos humbisnin të gjithë dokumentet. Pesë vjet pas kthesës, u hap thesi i parë ngjyrë kafe, me dokumentet e grisura të STAS-it, për t’i bashkuar sërish copëzat e grisura.
Punën me copëzat e letrës e nisën fillimisht 40 bashkëpunëtorë, një nismë që kërkon durim të jashtëzakonshëm, sepse nuk dihet si do të duket faqja më vonë dhe as nëse të gjitha copëzat e saj ndodhen në të njëjtin thes.
Por tani, pas 18 vjet përpjekjesh, në ndihmë u mbërrin tekonologjia moderne. Institutit Frauenhofer, për sistemet e prodhimeve teknologjike, iu kërkua të zhvillonte një program kompjuterik, që mbledh copëzat automatikisht dhe shpejt.
Pavarësisht një zhvillimi të tillë, autoritetet kanë vendosur vazhdimin e punës së bashkëpunëtorëve që mbledhin copëzat me dorë, sepse ata mund të vendosin se çfarë do të rikonstruktohet apo të ndihmojnë nëse makina nuk punon siç duhet.
Top Channel