
Ish-presidenti egjiptian Hosni Mubarak, është rishfaqur në gjyq, vetëm 3 ditë pasi u lirua nga burgu dhe u vendos në arrest shtëpie.
Mubarak është duke u përballur me rigjykimin mbi bashkëpunimin në vrasjen e protestuesve gjatë trazirave të vitit 2011. Ai u ul në bankën e të akuzuarve së bashku me 2 djemtë e tij, ish-ministra të Brendshëm, si dhe 6 shefa të sigurisë.
Më herët, në një tjetër ngjarje nga gjyqet në Egjipt, seanca kundër drejtuesit të përgjithshëm të Vllazërisë Muslimane dhe dy zëvendësve të tij u shty. Gjykata u mblodh dhe mori me shpejtësi këtë vendim, pasi Mohammed Badie, Khairat al-Shater dhe Rashad Bayoumi mungonin që të tre për arsye sigurie. Prezenca e tyre është kërkuar me forcë për seancën e ardhshme gjyqësore, të caktuar më 29 tetor.
Liderët e Vllazërisë përballen me akuzat e bashkëpunimit në vdekjen e protestuesve, që pushtuan selinë e lëvizjes islamike në Kajro, më 30 qershor, teksa miliona vetë u mblodhën rrugëve duke kërkuar dorëheqjen e pasardhësit të zgjedhur në rrugë demokratike të Mubarak-ut, Mohammed Morsi. Por, vetëm 3 ditë më vonë, Morsi u rrëzua nga një “grusht shteti” i ushtrisë.
Që prej atëherë, ai po mbahet i arrestuar, ndërkohë që prokurorët hetojnë akuzat në lidhje me arratinë e tij nga burgu, gjatë trazirave që detyruan rrëzimin e Mubarak nga pushteti, përfshi edhe akuzat për konspiracion me grupin e militantëve palestinezë, HAMAS.
Të dielën, Mubarak u shfaq në bankën e të akuzuarve nën masa të larta sigurie, në dhomën e gjykatës brenda akademisë së policisë, në periferinë lindore të Kajro-s, i ulur në një karrige me rrota, duke mbajtur veshur një tutë të bardhë sportive dhe me syze të errëta.
85-vjeçari raportohet të ketë fluturuar me helikopter drejt gjykatës, nga një spital ushtarak ku po mbahen nën arrest shtëpie, që prej lirimit të tij nga burgu gjatë ditës së enjte. Procesi dëgjimor është shtyrë deri më 14 shtator.
Mubarak u dënua me burgim të përjetshëm në qershor të 2012-s, pasi u shpall fajtor për bashkëpunim në vrasjen e qindra protestuesve. Ish-ministri i Brendshëm i tij, Habib al-Adly, u dënua gjithashtu me burg përjetë, por shefat e sigurisë u liruan.
Ish-presidenti dhe dy djemtë e tij, Alaa dhe Gamal, u shfajësuan nga akuzat e ndara për korrupsion, në lidhje me një marrëveshje eksporti të gazit, në të njëjtin gjyq, për shkak të statutit të kufizimeve.
Top Channel