Fillon me një fitore bindëse Interi i epokës Mazzarri.
Në ndeshjen e parë në “San Siro”, zikaltrit mposhtin 2-0 Genoa-n, falë golave në pjesën e dytë nga Nagatomo dhe Palacio.
Në pjesën e parë, zikaltrit kërkuan vazhdimisht rrugën e rrjetës, sulmonin në mënyrë konstante, por kuqeblutë mbroheshin mirë.
Në të dytën, pas aktivizimit të Icardi-t përkrah Palacio-s, Interi nis të ndryshojë fytyrë: gjen golin e avantazhit në të 75-tën, Icardi godet traversën, ndërkohë që Perin shmang një rast të vështirë, pas goditjes me kokë të Ranocchia-s. Ndërsa Palacio mbyll llogaritë në kohën shtesë.
Vuan disi Inter, por në fund Mazzarri mund t’i gëzohet fitores në debutimin e tij në kampionat, e sidomos në “San Siro”. Tekniku zikaltër ka ende për të punuar, por diçka të re e ka kuptuar edhe nga kjo ndeshje: Interi me dy sulmues funksionon më mirë.
Për t’u theksuar, soliditeti në mbrojtje dhe asnjë gol i pësuar: një pikënisje e rëndësishme.
Napoli bind me rezultat dhe lojë
Napoli i ri i Rafa Benitez ka prezantuar kandidaturën për titullin kampion pas fitores bindëse në javën e parë ndaj Bolonjës.
Goli i Callejon dhe dygolëshi i Hamsik i kanë dhënë fitoren 3-0 të kaltërve.
Edhe Roma ka fituar pastër në transfertën ndaj Livornos. Kryeqytetasit kanë arritur suksesin 2-0 falë golave të De Rossit dhe Florenzit.
Në ndeshjet e tjera të javës së parë të Serisë A u regjistruan këto rezultate: Lazio-Udinese 2-1, Cagliari-Atalanta 2-1, Parma-Chievo 0-0 dhe Torino-Sassuolo 2-0.
Top Channel