Çështja e logos së Republikës së Kosovës në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nuk do të diskutohet në takimin e 27 gushtit ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Daçiç.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar gjatë së dielës, për “Top Channel”, Bekim Çollaku, Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, pasi prej disa ditësh është raportuar në media se për këtë çështje mund të diskutohet në Bruksel.

Ai ka thënë shkurt, përmes telefonit: “Për logon vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ne, si Qeveri, nuk do të implikohemi në këtë çështje”.

Në takimin e radhës në nivel kryeministrash, temë kyçe pritet të jetë arritja e marrëveshjeve në fushën e energjisë dhe telekomunikacionit; zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit, me theks të veçantë në sektorin e sigurisë dhe drejtësisë.

Para takimit, Kryeministri Thaçi është shprehur optimist se në Bruksel do të ketë marrëveshje për energjinë dhe telekomunikacionin.

Po ashtu, ai u ka bërë edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve të veriut të Mitrovicës, që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat për herë të parë do të mbahen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Top Channel