Irak, mbi 41 të vdekur nga shpërthimet

25/08/2013 21:40

Një seri sulmesh me bomba në Irak kanë lënë të vdekur të paktën 41 persona, bëjnë të ditur burime policore dhe mjekësore.

Në qytetin qendror të Baquba-s, të paktën 9 persona kanë mbetur të pajetë. Shpërthime janë raportuar gjithashtu në kryeqytetin Baghdad.

Dhuna gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, që përfundoi në fillim të gushtit, la më shumë se 670 njerëz të vdekur, një nga shifrat më të larta ndër vite.

Ndërkohë, numri i tyre vazhdon e rritet, për shkak se tensionet mes muslimanëve sunitë dhe shiitë sa vijnë e përshkallëzohen.

Sunitët thonë se po margjinalizohen nga kryeministri Nouri Maliki dhe qeveria e tij shiite.

Në Baquba janë raportuar 4 shpërthime, dy prej të cilave kishin për objektiv një dasmë të shiitëve, sic raporton agjencia e lajmeve AFP.

Disa shpërthime, autobomba dhe të tjera anës rrugëve, janë raportuar edhe në Baghdad, një prej të cilave brenda një dyqani kafeje. Shumë të vdekur raportohen.

Të paktën 5 persona thuhet se janë vrarë në një shpërthim autobombe në qytetin e Balad-it, në veri të kryeqytetit, ndërsa raportimet nga provinca Nineveh bëjnë të ditur për 5 ushtarë të vdekur dhe automjetet e tyre të shkrumbuara nga zjarri.

Sulmet sektariane kanë vrarë mbi 4000 persona këtë vit, kryesisht në provincën e Baghdad-it, si më e prekura në Irak.

Top Channel