San Diego, kryebashkiaku jep dorëheqjen

24/08/2013 01:50

Kryebashkiaku i San Diego-s, Bob Filner, do të japë dorëheqjen, ka bërë të ditur një zyrtar i qytetit të premten, një veprim që Filner e ka refuzuar për një kohë të gjatë, pavarësisht se është vendosur nën presionin intensiv të publikut, pas akuzave për ngacmime seksuale.

Prokurori i qytetit, Jan Goldsmith, njoftoi mesditën e së premtes se Këshilli i Qytetit, gjatë një seance me dyer të mbyllura, ka pranuar termat e një marrëveshjeje me Filner, që u arrit pas 3 ditë bisedimesh të ndërmjetësuara.

Filner dorëzoi “dorëheqjen e nënshkruar”, gjë që “qyteti e pranoi”, tha Goldsmith. Dorëheqja e tij do të hyjë në fuqi të premten e 30 gushtit.

Pas kësaj, Filner foli në takimin e këshillit të qytetit – komentet e para të gjata publike të tij pas shumë javësh – dhe e nisi duke ofruar “një apologji të thellë për të gjithë qytetarët”.

“Qyteti nuk e meritonte të vihej në këtë situatë”, tha kreu i Bashkisë. “Dështimet e mia personale kanë qenë përgjegjëse për këtë”.

Por, vetëm pak momente më vonë, Filner u hodh në mbrojtje. Edhe pse e pranoi se sjellja e tij ndaj grave ishte e papërshtatshme në disa raste, ai këmbënguli se “kurrë nuk kishte ngacmuar seksualisht ndokënd”.

“Histeria e krijuar së fundi është një histeri e një turme vrastare”, shtoi Filner, duke kritikuar një zhvillim, në të cilin “thashethemet u kthyen në akuza, e akuzat në fakte”.

Njoftimi i së premtes shënon momentin e fundit strategjik të një sage, që ka përfshirë San Diego-n për 7 javë me rradhë, teksa 18 gra, njëra pas tjetrës, nisën të akuzonin publikisht Filner-in se, gjatë kohës që ushtronte detyrën e kongresmenit dhe si kryebashkiak, që prej 2012-s, ai pati një sjellje të papërshtatshme.

Shumë zyrtarë publikë, përfshi 9 anëtarët e këshillit të qytetit dhe 2 senatorë të shtetit amerikan, i bënë thirrje Filner-it të jepte dorëheqjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA