OKB dënon sulmet në Liban

24/08/2013 02:50

Këshilli i Sigurisë në OKB ka dënuar 2 shpërthimet me autobombë në Liban gjatë së premtes, që lanë të vrarë të paktën 50 persona dhe plagosën mbi 500 të tjerë.

Këshilli me 15 anëtarë apeloi ndaj popullit libanez për të ruajtur unitetin kombëtar, përballë përpjekjeve për të minuar stabilitetin e Libanit.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, nxiti qytetarët libanezë “të jenë të vetpërmbajtur, të qëndrojnë të bashkuar dhe të mbështesin institucionet shtetërore”, e veçanërisht forcat e sigurisë në Liban.

Sulmet e të premtes ndodhën në qytetin verior të Tripolit. Një nga bombat shpërtheu jashtë xhamisë Taqwa, kur po përfundonin lutjet e mesditës. Në këtë xhami zakonisht lutet Sheiku Salem Rafei, një klerik salafit që kundërshton grupin e militantëve shiitë të Libanit, Hezbollah. Ende nuk është e qartë, nëse ai ndodhej brenda saj.

Bomba e dytë shpërtheu vetëm 5 minuta më vonë jashtë xhamisë Al Salam, në distriktin Al Mina të Tripolit. Brenda xhamisë ndodhej Hassan Kamel.

“Sheiku ndodhej në xhami dhe po lutej, kur papritur ndodhi shpërthimi”, tha ai. Kamel shtoi se “rrënime dhe trupa të vdekurish e të plagosurish” gjendeshin kudo. “Ne dënojmë gjithçka ka ndodhur këtu në Tripoli”.

Për momentin, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë e sulmeve. Grupi i militantëve shiitë, Hezbollah, dënoi gjithashtu sulmet, duke thënë se ato janë një përpjekje për të nxitur më shumë dhunë sektariane në Liban.

Tensionet janë shtuar në shtetin e Lindjes së Mesme, gjatë luftës civile në vendin fqinj të Sirisë, veçanërisht në Tripoli, ku muslimanët sunitë, që mbështesin trazirat e armatosura në Siri, janë përleshur vazhdimisht me Alauitët, që mbështesin presidentin Bashar al-Assad.

Një grup islamik anti-Hezbollah, i njohur me emrin “Brigadat e Aisha”-s, mori përsipër një sulm me autobombë javën e kaluar në Rweiss, në periferinë jugore të Bejrutit, një vatër e Hezbollahut. Në atë shpërthim vdiqën 22 vetë dhe u plagosën mbi 200.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA