Një zotim i bërë gjatë një telefonate nga lideri i al-Qaeda-s në Gadishullin Arabik (AQAP), mbi kryerjen e një sulmi që “do të ndryshonte faqen e historisë”, qëndron pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për mbylljen e shumë diplomacive perëndimore, bën të ditur presidenti i Jemenit.
Në zbulimin e parë publik, nga një lider qeverie, të detajeve të telefonatës së përgjuar, që shkaktoi alarmin në SHBA, presidenti Abd-Rabbu Mansour Hadi tha se kreu i AQAP, Nasser al-Wuhayshi, e bëri këtë premtim ndaj liderit të al-Qaeda-s, Ayman al-Zawahiri, më 29 korrik.
Shumë misione diplomatike të SHBA-ve dhe vendeve të tjera perëndimore në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi u mbyllën përkohësisht në fillim të muajit, si masë paraprake ndaj kërcënimeve për sulme terroriste.
Wuhayshi kishte folur në telefon me Zawahiri-n, i cili besohet se gjendet në Pakistan, ndërkohë që merrte pjesë në një takim të 20 liderëve të al-Qaeda-s në provincën Maarib të Jemenit, tha Hadi.
“Kur isha në Washington, amerikanët na thanë se kishin përgjuar një telefonatë mes Ayman al-Zaëahiri-t dhe Wuhayshi, në të cilën ky i fundit i tha liderit të tij se do të kryenin një sulm, që do të ndryshonte fatet e historisë”, tha presidenti ndaj kadetëve policor në një fjalim, që televizioni shtetëror transmetoi gjatë së premtes.
“I thashë amerikanëve, se kjo gjë mund të ndodhte në Jemen”, tha Hadi, duke reflektuar kështu besimin e disa analistëve, se AQAP nuk ka aftësi të kryejë sulme madhore përtej kufijve të vendit.
Hadi, i cili vizitoi Washington-in nga fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit, shtoi se 2 makina, secila me nga 7 tonë eksploziv, u identifikuan më vonë në Jemen nga forcat e sigurisë.
E para, që ishte për të sulmuar terminalin e naftës Mina al-Dhabba në jug-lindje të Jemenit, u shkatërrua. E dyta u nis për në kryeqytetin Sanaa dhe ende rezulton e zhdukur, e megjithatë Hadi tha se autoritetet kanë arrestuar bërthamën e terroristëve, që kishin marrë urdhër për ta kontrabanduar atë në qytet.
“Kjo gjë i frikësoi amerikanët dhe ndodhi ajo që dihet, mbyllja e ambasadave të tyre në të gjithë rajonin, kjo sepse ata dëgjuan Wuhayshi-n të thoshte se sulmi që do të ndërmerrnin do të ndryshonte kursin e historisë”, tha Hadi.
Burime amerikane kanë thënë se, ndërkohë që disa mesazhe mes Zawahiri-t dhe AQAP janë përgjuar së fundi, ka gjithashtu edhe disa rrjedhje të inteligjencës, që kanë kontribuar në alarmin e sigurisë. Ambasada amerikane në Sanaa u rihap më 18 gusht, e cila ishte mes 20 ambasadave të tjera dhe konsullatave të mbyllura.
Top Channel