“355 viktima nga armët kimike”

24/08/2013 00:00

Mjekët Pa Kufij kanë konfirmuar se në spitalet siriane kanë marrë ndihmën mjekësore rreth 3600 pacientë me “simptoma neurotoksike” dhe 355 prej tyre kanë vdekur.

Raporti thekson se më 21 gusht pacientët janë shtruar në 3 spitale në Damask dhe ata janë trajtuar me atropinë, një ilaç që i jepet atyre personave me simptoma neurotoksike.

Ky raport sjell prova të mëtejshme mbi përdorimin e armëve kimike. Qeveritë perëndimore kanë akuzuar qeverinë siriane për këto sulme, ndërsa Damasku zyrtar akuzon kryengritësit.

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, tha se përdorimi i armëve kimike në Siri përbën një zhvillim “tejet shqetësues”, Rusia u bashkua me të njëjtin qëndrim, por me një ndryshim të madh.

Ndryshe nga Uashingtoni dhe vendet perëndimore, në deklaratën e saj, Moska theksoi se “ka prova gjithmonë e më të shumta që sulmi kimik është kryer prej kryengritësve”.

Aktualisht, një mision hetimor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndodhet në Siri, për të përcaktuar nëse ka pasur përdorim të armëve kimike dhe se prej cilës palë ndërluftuese janë përdorur ato.

Ditët e fundit, mediat ndërkombëtare kanë transmetuar pamje tronditëse të qindra civilëve sirianë, me probleme të qarta frymëmarrjeje për arsye “jo-evidente”.

Top Channel