SHBA, ushtari i masakrës afgane kërkon falje

23/08/2013 01:00

Ushtari amerikan, i cili veproi pa kurrfarë kontrollo vitin e kaluar, duke vrarë 16 fshatarë afganë, kërkoi falje për masakrën, duke e quajtur atë “një veprim dobësie”.

Robert Bales ka dhënë versionin e tij, se pse duhet të lirohet një ditë, gjatë seancës gjyqësore në bazën ushtarake të Washington-it.

39-vjeçari tha se ai kishte qenë “shumë i frikësuar dhe kishte dashur të mburrej”, në momentin e sulmit të 11 marsit 2012. Baba i dy fëmijëve, ai pranoi fajësinë në qershor, në mënyrë që të shmangte dënimin me vdekje.

Nëse ai dënohet me burgim të përjetshëm me mundësi për liri me kusht, Bales mund të kërkojë këtë të fundit vetëm pas 20 vjetësh.

“Më vjen vërtet keq për ata njerëz, familjarët e të cilëve sot nuk jetojnë”, tha ai gjatë seancës së të enjtes në bazën Lewis-McChord. “Nëse do të mundesha t’i riktheja sërish në jetë ata, do ta bëja me një frymë. Të them më vjen keq është shumë pak, por ky është realiteti”.

Prokurorët kanë kundërshtuar faktin, që ai tashmë ndihet i keqardhur, duke dëshmuar me anë të një telefonate të përgjuar të të burgosurit Bales dhe gruas së tij, gjatë së cilës ai qeshte në momentin që diskutonin këtë çështje. Avokatët e tij reaguan duke thënë se biseda është keqinterpretuar.

Ushtari deklaroi të enjten se e konsideronte veten e tij të çmendur, pasi ndihej i zymtë gjatë gjithë kohës, pinte shumë dhe i mbante të fshehura problemet e tij. Ai tha se kishte përdorur drogë dhe alkool para momentit të sulmit, në kohën kur shërbente në misionin e tij të katërt ushtarak.

Edhe vëllai i tij i madh, William Bales, 55 vjeç, thuri lavde ndaj të akuzuarit. “Nuk besoj të ketë baba më të mirë se ai”, tha për ushtarin Bales. “Nëse arriti t’i sillte fëmijët e tij këtu sonte, atëherë ata do t’i dalin në krah të atit”.

Top Channel