Rusia: Sulmi kimik në Siri, nga kryengritësit

23/08/2013 00:00

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, tha se përdorimi i armëve kimike në Siri përbën një zhvillim “tejet shqetësues”, Rusia u bashkua me të njëjtin qëndrim, por me një ndryshim të madh.

Ndryshe nga Uashingtoni dhe vendet perëndimore, në deklaratën e saj, Moska theksoi se “ka prova gjithmonë e më të shumta që sulmi kimik është kryer prej kryengritësve”.

Aktualisht, një mision hetimor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndodhet në Siri, për të përcaktuar nëse ka pasur përdorim të armëve kimike dhe se prej cilës palë ndërluftuese janë përdorur ato.

Ditët e fundit, mediat ndërkombëtare kanë transmetuar pamje tronditëse të qindra civilëve sirianë, me probleme të qarta frymëmarrje, për arsye “jo-evidente”.

Njëkohësisht, pamjet e trupave të vdekur të dhjetëra fëmijëve dhe civilëve gjithashtu kanë “rrënqethur” publikun botëror.

E ndërsa UNICEF-i konfirmoi të premten se midis më shumë se dy milionë refugjatëve sirianë të luftës në vendet fqinje, figurojnë mbi një milionë fëmijë, nuk ka ende garanci nëse qeveria siriane do të lejojë misionin inspektues të OKB-së që të inspektojë të gjitha zonat e pretenduara.

Lufta civile në Siri, deri më tani i ka marrë jetën të paktën 100 mijë personave.

Top Channel