Mubarak la qelinë, në arrest shtëpie

23/08/2013 03:50

Ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, la qelinë gjatë së enjtes dhe u transferua në një spital ushtarak, ku dhe do t’i jepet masa e sigurisë “arrest shtëpiak”, raporton media shtetërore Al-Ahram.

Një gjykatë vendosi lirimin e tij gjatë kësaj jave, por ushtria egjiptiane lëshoi një dekret për ta vendosur Mubarakun në arrest shtëpie, teksa pritet të rigjykohet për akuzat e nxitjes së dhunës kundër protestuesve, gjatë trazirave të 2011-s, raportoi media egjiptiane.

85-vjeçari ishte mbajtur i burgosur, që prej rrëzimit të tij nga pushteti në 2011-n. Ai u fajësua vitin e kaluar me akuzën e nxitjes së dhunës ndaj protestuesve, gjatë trazirave popullore që çuan në largimin e tij nga Presidenca.

Ai u dënua me burgim të përjetshëm, por pasi apeloi, atij iu dha mundësia për t’u rigjykuar në fillim të këtij viti. Të mërkurën, gjykata vendosi lirimin e tij, sepse kishte kaluar kohën maksimale të paraburgimit, ndërkohë që u shpall i pafajshëm për çështjen e korrupsionit.

Lirimi i tij vjen në një kohë kur qeveria e përkohshme ushtarake e Egjiptit zgjati më tej masat e ashpra ndaj Vllazërisë Muslimane, gjatë së enjtes, duke arrestuar zëdhënësin e grupit, siç raportoi televizioni shtetëror al-Masriya.

Ahmet Arif është anëtari i fundit kyç i grupit islamik, që është arrestuar. Në fillim të kësaj jave, ushtria arrestoi Mohamed Badie, liderin shpirtëror të grupit, dhe Safwat Hegazy, një predikues dhe përkrahës i vijës së ashpër të lëvizjes islamike. Vetëm përgjatë së martës, rreth 100 anëtarë të Vllazërisë Muslimane u çuan në paraburgim.

Edhe presidenti Mohamed Morsi, i cili u rrëzua nga pushteti pas “grushtit të shtetit” ushtarak, në vijim të protestave masive në vend kundër sundimit të tij, po mbahet i arrestuar që prej fillimit të korrikut.

Lirimi i Mubarak është një “zhvillim i jashtëzakonshëm” dhe një “simbol potencial” për Lindjen e Mesme, por impakti i kësaj ngjarjeje mund të mbetet në hije prej listës së gjatë të shqetësimeve, me të cilat po ndeshen egjiptianët në terren: dhunën, gjendjen e jashtëzakonshme dhe vështirësitë ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA