
Shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së të njohur si “Grupi i Drenicës”, ndaj të cilëve po zhvillohet një proces hetimor nën dyshimin për krime lufte, do të mbeten në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë.
Një vendim i tillë është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me kërkesë të prokurorit të rastit, Maurizio Salustro. Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili aktualisht mban postin e ambasadorit të Kosovës në Tiranë, dhe 6 ish-bashkëluftëtarët e tij do të mbetën në paraburgim deri më 23 tetor të këtij viti.
Avokati i zotit Selimi, Tomë Gashi, ka thënë se “gjyqtari ka aprovuar pretendimet e prokurorit Salustro se ekziston rreziku i ikjes dhe rreziku i ndikimit në prova dhe dëshmitarë”.
Avokati Gashi ka paralajmëruar se ai dhe avokatët tjerë do të paraqesin ankesë kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. Për më tepër, sipas tij, mbrojtja e zotit Selimi e konsideron shokues, të padrejtë dhe pa asnjë bazë juridike këtë vendim.
“Është fyese të pretendohet që ata që luftuan për çlirimin e Kosovës dhe që konsiderohen heronj të gjallë të luftës do të ikin nga Kosova që të mos përballen me një gjykim të ardhshëm për diçka që nuk ka ndodhur”, ka thënë Gashi.
Top Channel