Drejtori në largim i FBI-së, Robert Mueller, është shprehur gjatë së enjtes për “Fox News” se al-Qaeda “mund të ketë shtyrë” planet e saj për të sulmuar institucionet diplomatike të SHBA-ve në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, pasi Washington-i arriti t’i mbyllte ato përpara se të kryhej ndonjë sulm terrorist.
Në një intervistë për median amerikane, Mueller tha se “jemi duke monitoruar nga afër situatën”, por paralajmëroi se rreziku nuk ka kaluar.
“Mund të them se ajo mund t’i ketë shtyrë planet”, tha Mueller në lidhje me një kërcënim të besueshëm dhe specifik mbi sulmet terroriste të al-Qaeda-s, që çoi në mbylljen e ambasadave dhe konsullatave amerikane në një brez të gjerë të botës muslimane, në fillim të këtij muaji.
I pyetur se përse mund të jetë shtyrë, ai u përgjigj se “është e vështirë ta përcaktosh, por unë mendoj se një nga faktorët kontribues është fakti, që ne jemi rritur shumë dhe nxituam të merrnim masa paraprake, dhe se mundësia, që ata mendonin se mund të kishin pasur në atë moment, nuk ishte më e pranishme për ta”.
Sa i përket një bisede telefonike të raportuar mes liderëve terroristë, Mueller tha se “jemi duke përgjuar bisedimet mes bërthamës së al-Qaeda-s dhe filialeve të tyre… Ndërkohë që disa shtete janë përfshirë nga Pranvera Arabe, atëherë nga aspekti territorial ky përfaqëson një kërcënim serioz në rrugë e sipër”.
Kur u pyet nëse al-Qaeda mund të konsiderohet e vdekur tashmë, ai u përgjigj me një fjalë të vetme: “Jo!”.
Ndërsa, në lidhje me pyetjen se cili ishte kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare, duke specifikuar al-Qaeda-n në Pakistan, atë në Jemen, atë në Afrikën Veriore apo terrorizmi në rritje brenda kufijve kombëtarë, ai u përgjigj në favor të këtij të fundit. “Kërcënimi më imediat është ai i terrorizmit në rritje brenda vendit, siç e pamë edhe në Maratonën e Bostonit”.
Top Channel