Me dy tituj të fituar në dy sezonet e fundit, Juventusi është shndërruar në skuadrën për t’u mundur në kampionatin italian.
Diçka të tillë e pranon edhe trajneri Conte, që në një intervistë të gjatë të publikuar të premten në shtypin italian, u ndal gjerësisht në disa tema të aktualitetit të klubit të tij.
Titulli – “Nuk mund të tërhiqemi nga roli i favoritëve për të fituar titullin, por duhet të tregojmë forcën tonë në fushë”, deklaroi Conte, në prag të debutimit të këtij sezoni, në fushën e Sampdorias. “Titulli i tretë radhazi do të ishte historik, por do të jetë edhe më i vështirë e këtë e di që nga përvoja ime si futbollist. Ecuria jonë deri këtu ka qenë e jashtëzakonshme, edhe sepse kur nisëm projektin e Juventusit, mendonim që do të ishim në gjendje të luftonim për titullin vetëm duke nisur nga ky sezon”.
Merkato – “Rivalët kanë shpenzuar të gjithë më shumë se Juventusi në këtë merkato dhe pavarësisht kësaj, të gjithë thonë që diferencat tona me ekipet e tjera janë zmadhuar. Si mund të jetë e mundur diçka e tillë? Nëse do të kishim bërë investime më të rëndësishme, atëherë do të kishim fituar automatikisht Botërorin e Klubeve më duket”, tha Conte, i pyetur mbi transfertat e futbollistëve.
Racizmi – “Mendoj se e gjithë kjo lëvizje duhet të rebelohet kundër çdo gjesti dhune apo mungese tolerance që mund të shfaqet në fushë, duke shmangur polemikat dhe mundësinë që ata pak idiotë që shprehin këto mendime, të kenë mundësinë të paraqesin mendimin e tyre”.
Sampdoria – Rivali i ardhshëm në kampionat do të jetë Sampdoria, një skuadër ndaj të cilës Juventusi nuk fiton në transfertë që prej vitit 2009. “Vitin e shkuar humbëm dy herë ndaj Sampdorias dhe shpresoj që gjërat të ndryshojnë. Luajmë përballë një skuadre shumë të mirë dhe të re në moshë, ndërsa Delio Rossi (trajneri kundërshtar) është një mjeshtër i vërtetë. Megjithatë, po punojmë duke u përqendruar tek ato vështirësi që presim të ndeshim në fushë”.
Marchisio dhe Pogba – “Marchisio do t’i mungojë të gjithë skuadrës pasi ka bërë gjithmonë gjëra të rëndësishme. Kur të rikthehet do të kem mundësinë që të zgjedh mesfushën që dua, por fatmërisht kam futbollistë vërtet të mëdhenj në stol”.
Top Channel