Burg përjetë për ushtarin amerikan

23/08/2013 00:00

Ushtari amerikan që vrau 16 afganë të pafajshëm është dënuar me burgim të përjetshëm. Robert Bales hapi zjarr ndaj fëmijëve dhe grave marsin e vitit të kaluar në Kandahar.

39-vjeçari pranoi fajin në muajin qershor në mënyrë që të shmangte dënimin me vdekje. Ai kërkoi falje për masakrën ditën e enjte, duke e quajtur një “veprim dobësie”.

Ushtari sulmoi dy fshatra në mes të natës duke vrarë gra dhe fëmijë. Avokatët e tij argumentuan se stresi post-traumatik dhe një dëmtim në tru ishin faktorët që kishin çuar klientin e tyre në vrasjen e shumëfishtë.

Gjatë gjyqit, 9 afganë kanë dëshmuar duke treguar se si jeta e tyre ka ndryshuar që nga ajo ditë. Mes tyre ishte edhe Haxhi Muhamed Vaziri, i cili ka humbur 11 pjesëtarë të familjes, duke përfshirë nënën, gruan dhe 6 fëmijët e tij.

Top Channel