Abbas: Paqja i jep fund kërkesave tona

23/08/2013 02:30

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, dëshiron që marrëveshja për paqe e negociuar të përfshijë një klauzolë, ku të theksohet se konflikti me Izraelin ka marrë fund. Këtë ai ia ka thënë një delegacioni nga partia e majtë izraelite, Meretz, e kryesuar nga MK Zahava Gal-On, ditën e enjte.

“Njerëzit thonë se, pasi të nënshkruajmë marrëveshjen e paqes, ne do të mund të vazhdojmë të kërkojmë Haifa-n, Acre-n, dhe Safed-in”, tha ai. “Por, kjo nuk është e vërtetë. Nënshkrimi i marrëveshjes do të shënonte fundin e konfliktit”.

Abbas qartësoi më tej se, në rastin e një zgjidhjeje paqësore, shteti palestinez do të pranonte të çarmatosej. Ai theksoi se gjatë negociatave të mëparshme me ish-kryeministrin Ehud Olmert, kishte një marrëveshje për të zhvendosur ushtarët amerikanë në Bregun Perëndimor, në mënyrë që të ndihmonim në ruajtjen e sigurisë.

“Nuk kemi nevojë për aeroplanë apo raketa. Gjithçka që kemi nevojë është një forcë e fuqishme policore”, tha Abbas, “Në krahun tjetër, ne duam sovranitet dhe pavarësi. Jam kritikuar, që kam thënë se nuk dua asnjë ushtar izraelit apo ndërtim hebre në shtetin palestinez. Në fakt, e pata fjalën për çdo izraelit, që është pjesë e pushtimit. Nuk kam dashur të them se nuk dua hebrenj apo izraelitë në shtetin palestinez. Ne do t’i mirëpresim ata si turistë, ose si njerëz që do të vijnë për të bërë biznes. Thjesht nuk duam forca pushtuese”.

Në takimin me Abbas morën pjesë parlamentarët e Meretz; Ilan Gilon, Nitzan Horowitz, Michal Rosin, Issawi Freij, Tamar Zandberg dhe Gal-On. Në takim ishin të ftuar gjithashtu ish-ambasadori në Afrikën e Jugut, Ilan Baruch, këshilltari diplomatik i Gal-On, i cili është gjithashtu përgjegjës për kontaktet e partisë me Autoritetin Palestinez.

Gjatë takimit, Gal-On i tha Abbas-it se Meretz do t’i siguronte kryeministrit Benjamin Netanyahu një “rrjet sigurie”, nëse bënte progres drejt krijimit të një shteti palestinez.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA