Problemet muskulare të Leo Messit

22/08/2013 00:00

Leo Messi e ka nisur sezonin aktual njësoj siç përfundoi atë të kaluarin: me probleme muskulare.

Që kur u dëmtua më 2 prill ndaj PSG-së në çerekfinalet e Champions, argjentinasi i Barcelonës ka luajtur vetëm një ndeshje të plotë në 5 muajt e fundit. Kjo ndeshje ishte humbja 4-0 që katalanasit pësuan në “Allianz Arena” ndaj Bayern Munchen.

Edhe në ndeshjet me Argjentinën ndaj Kolumbisë, Ekuadorit dhe Guatemalës, Messi nuk ka luajtur 90 minutat e plota.

Mbrëmjen e së mërkurës, në takimin e Superkupës së Spanjës ndaj Atletico Madrid, numri 10 i katalanasve luajti vetëm 45 minutat e para pasi ndjeu shqetësime në kofshën e majtë.

FC Barcelona bëri të ditur se bëhet fjalë vetëm për një goditje dhe se Messi u zëvendësua për të shmangur dëmtimin, por fakti që nga 27 takimet e fundit ka luajtur vetëm 1, bën të mendosh se problemi është më serioz.

Top Channel