Prezantimi i platformës së ambasadorit maqedonas të sapo emëruar në Shqipëri, Stojan Karajanov, është shoqëruar me polemika të ashpra në komisionin parlamentar për politikën e jashtme.
Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Bekim Fazliu, e cilësoi skandaloze fjalën e diplomatit Karajanov, i cili duke folur për pakicën maqedonase, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë në Shqipëri është shoqëruar me lëshime, pasi në të nuk u përfshi një numër i madh i maqedonasve që jeton atje.
“Gabimi është bërë gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, kur për fat të keq u regjistruan vetëm 5 521 shtetas të Shqipërisë si maqedonas. Këtë problem e kishte edhe pakica greke dhe vllehe si më të mëdha, bashkë me minoritetin maqedonas”, deklaroi ambasadori Karajanov.
Bekim Fazlliu, deputet i PDSH-së në Parlamentin Maqedonas iu drejtua ambasadorit: “Akuzuat shtetin shqiptar se ka bërë gabim rreth regjistrimit të popullatës, në veçanti për pakicën maqedonase. Kjo nuk është veti e diplomatëve, ky është një skandal I madh. Po të isha në vend të qeverisë shqiptare, do ta kisha shqyrtuar mundësinë, nëse duhet pranuar propozimi që një kuadër I tillë të përfaqësojë një shtet në Shqipëri apo jo. Aq janë pakicë maqedonasit, çfarë të bëjmë? Janë numëruar 2-3 herë dhe aq janë”.
Duke mbojtur tezat e ambasadorit Karajov dhe në përpjekje për të kundërshtuar kolegun e tij shqiptar, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Romeo Trenov, shkoi edhe më larg.
Ai tha se në Shqipëri jetojnë rreth 200 mijë maqedonas, të cilët në vitin 2011 për shkak të frikës dhe presioneve nuk u deklaruan si të tillë.
“Unë kërkoj nga ambasadori i ri që të kontaktoje me të gjithë faktorët e rëndësishëm, që në regjistrimin e radhës, maqedonasit në Shqipëri të mund të deklarohen si të tillë pa probleme. Po ashtu, dua të them se nuk është e vërtetë se në Maqedoni, jetojnë mbi 30% shqiptarë. Për mua janë qesharake zërat se në Ballkan jetojnë 10 milion shqiptarë”, komentoi Trenov.
“Këtu u pa një lloj fobie që ekziston me të vërtetë në Ballkan ndaj shqiptarëve. Është një lloj fobie që duhet të hiqet dorë, sidomos maqedonasit në Maqedoni. Këto nuk kanë asnjë arsye ndaj shqiptarëve, kur dihet se Shqipëria është shteti i cili nuk i konteston në asnjë mënyrë qenësinë e kombit dhe shtetit maqedonas”, replikoi Bekim Qoku, deputet i PDSH-së.
Ambasadori maqedonas, Stojan Karajanov, nga Prishtina, më 1 shtator do të transferohet në Tiranë, ku do ta zëvendësoj Vele Trpevskin, i cili do të emërohet ambasador i Maqedonise në Australi.
Top Channel