OKB kërkon hetimin e incidentit në Siri

22/08/2013 01:00

Këshilli i Sigurisë në OKB është mbledhur pasditen e së mërkurës në një mbledhje urgjente pas akuzave të aktivistëve opozitarë në Siri, se ushtria siriane ka përdorur armë kimike në sulmet e fundit në periferi të Damaskut.

Sulmet me armë kimike kanë vrarë me qindra në rajonin e Ghouta-s, gjatë orëve të para të së mërkurës, teksa raketa me agjentë toksikë janë lëshuar nga forcat e Assad, si pjesë e një bombardimi madhor ndaj forcave rebele.

Ushtria siriane deklaroi se akuzat janë të fabrikuara, për të mbuluar humbjet mes rebelëve, ndërsa aleanca opozitare tha se më shumë se 1000 njerëz kanë mbetur të vrarë nga sulmet.

Pas mbledhjes në OKB, KS deklaroi se është e domosdoshme të qartësohet se çfarë ndodhi në sulmet e akuzuara, por u ndal shumë pak në kërkimin e një hetimi nga ekipi i ekspertëve të OKB-së, që ndodhet aktualisht në Damask.

“Ekziston një shqetësim i madh mes anëtarëve të KS në lidhje me akuzat dhe një ndjenjë e përbashkët se duket të ketë qartësime rreth ngjarjeve të fundit, ndërkohë që situata duhet të ndiqet nga afër”, tha Ambasadorja e Argjentinës në OKB, Cristina Perceval, pas takimit me dyer të mbyllura.

Ndërkohë, SHBA-të, Britania dhe Franca janë mes 35 shteteve anëtare, që kanë nënshkruar një letër thirrjeje ndaj inspektorëve të OKB-së, që aktualisht po hetojnë 3 vende në Siri për të mbledhur prova mbi përdorimet e mëparshme të armëve kimike, që të hetojnë edhe incidentin e fundit sa më shpejt të jetë e mundur.

Rrjetet e aktivistëve raportuan se numri i të vdekurve në këtë incident ishte me qindra, por kjo nuk mund të konfirmohet nga burime të pavarura. Ende nuk është e qartë gjithashtu se sa vetë kanë mbetur të vdekur nga bombardimi i këtij rajoni dhe sa vetë kanë vdekur nga ekspozimi ndaj substancave toksike.

Videot tregojnë dhjetra trupa të shtrirë në dyshemenë e një klinike, pa shenja të dukshme plagësh, përfshi edhe fëmijë të vegjël. Ghazwan Bwidany, një doktor që merret me trajtimin e të plagosurve, tha për BBC se simptoma kryesore, sidomos mes fëmijëve, është asfiksia, pështymat dhe shikimi i paqartë.

“Ne nuk kemi mundësi të merremi me trajtimet e një numri kaq të madh njerëzish”, tha ai. “Për momentin i kemi shtruar nëpër xhami, në shkolla dhe kemi mungesa të theksuara në barna mjekësore, sidomos për atropine, që është antidoti kryesor ndaj armëve kimike”.

Top Channel