Manning, pas 7 vjetësh të drejtë për liri me kusht

22/08/2013 01:50

Ushtari amerikan i akuzuar për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara qeveritare në favor të uebsajtit Wikileaks, është dënuar tashmë me 35 vjet burgim.

Bradley Manning, 25 vjeç, u akuzua zyrtarisht në korrik me 20 vepra penale që rëndonin ndaj tij, përfshi këtu edhe akuzën për spiunazh.

Në një deklaratë të lexuar nga avokati i tij, pas vendimit të gjykatës, Manning tha se kishte vepruar “për hir të dashurisë ndaj vendit”.

Mbështetësit e tij i kanë bërë thirrje presidentit Barack Obama ta falë ushtarin, ose ta konvertojë dënimin me kohë shërbimi.

Manning do të përfitojë një ulje të dënimit të tij prej 3 vitesh e gjysmë, përfshi këtu edhe kohën që ka kaluar në qeli dhe 112 ditë kompensim për kushtet e rënda gjatë izolimit të tij në fillim.

Avokati i tij mbrojtës, David Coombs, tha se Manning do të ketë mundësi të shqyrtojë lirinë me kusht, të paktën pas 7 vjetësh. Prokurorët kishin kërkuar 60 vjet burgim ndaj tij, në mënyrë që t’i jepnin një mesazh spiunëve të ardhshëm potencialë.

Wikileaks e konsideroi dënimin prej 35 vjetësh një “fitore strategjike domethënëse”. Ndërkohë, prokurorët ushtarakë nuk kanë komentuar ende pas vendimit.

Veç dënimit me burg, që pritet ta shlyejë në Fort Leavenëorth të Kansasit, gjykatësja Denise Lind vendosi gjithashtu shkarkimin në mënyrë të pandershme të Manning nga ushtria amerikane, si dhe të humbasë pagën e tij.

Top Channel