Një zyrtar i qeverisë britanike është përfshirë në bisedime me “The Guardian” në lidhje me materialet, që gazeta disponon na spiuni amerikan, Edward Snowden.
Kryeministri David Cameron urdhëroi shërbyesin më të lartë civil, zotin Jeremy Heywood, të kontaktojë me gazetën. Lajmi bëhet i ditur pasi “The Guardian” publikoi detaje mbi programet sekrete të survejimit amerikan dhe britanik.
Redaktori Alan Rusbridger tha se, nga presioni, ishte detyruar më pas të shkatërronte hard-disqet e kompjuterit, ku kishte ruajtur informacionet. Rusbridger tha se bisedimet e tij me qeverinë ishin kryer me “një zyrtar të lartë, që pretendonte se përfaqësonte pikëpamjet e kryeministrit”.
Por, ai nuk deklaroi me saktësi se për çfarë kishin biseduar.
“The Independent” dhe “Daily Mail” raportojnë tashmë se Sekretari i kabinetit, Jeremy Heywood, ka pasur kontakte me “The Guardian”. Korrespondenti i BBC për politikën, Chris Mason, tha se këto raporte ishin të sakta.
Burime nga qeveria britanike theksoi se do të kishte qenë një “mungesë e përgjithshme e përgjegjësisë së tyre”, nëse nuk do të kishin biseduar me “The Guardian”.
Qeveria e Cameron i frikësohej faktit, nëse të dhënat sekrete të disponuara nga gazeta do të binin në ato, që ata i quajnë “duar të gabuara”, e më pas do të përbënin një kërcënim për Britaninë.
Biseda mes përfaqësuesit të qeverisë dhe “The Guardian” u krye me miratimin e Cameron, zëvendës/kryeministrit Nick Clegg dhe Sekretarit të Jashtëm, William Hague.
Pas bisedimeve, Rusbridger pranoi atë që, ai vet e quajti “një nga incidentet më “të çuditshme” në historinë e gazetës.
Dy ekspertë të GCHQ, agjencia e shërbimeve sekrete britanike, mbikqyrën shkatërrimin mbi bazën e dokumenteve kompjuterike, që përbanin informacine të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), të publikuara nga Snowden.
Rusbridger tha: “Ishim mjaft të qartë se nuk do t’ia dorëzonim këto materiale qeverisë britanike, kështu që i shkatërruam vet ato, me këshillën e dy ekspertëve të inteligjencës nga GCHQ, të cilët na thanë se çfarë pjesësh të hard-diskut duhej të shkatërronim dhe në ç’mënyrë”.
Megjithatë, dokumentet janë kopjuar dhe “The Guardian” do të vazhdojë të ndjekë historinë e Snowden, por këtë herë nga Shtetet e Bashkuara. Rusbridger besonte se dorëzimi i hard-disqeve te qeveria do të ishte një tradhëti e burimeve të gazetës.
Ish-kontraktori i NSA-së, Snowden, ndodhet tashmë në Rusi. I pyetur në lidhje me historinë e “The Independent”, një zëdhënës i “The Guardian” tha për BBC se “nuk dëshironte të komentonte mbi këtë temë”.
Top Channel