Forcat e sigurisë kanë konfiskuar 100 ton materiale, që shërbenin për krijimin e bombave, si dhe kanë arrestuar 10 persona në një ofensivë në Quetta, në jug-perëndim të Pakistanit, bëjnë të ditur zyrtarët.
Depoja e fshehtë përmbante kimikate, që përdoren për përzierje bombash, tela dhe pajisje të tjera shpërthyese, ka deklaruar kolonel Maqbool Shah. Ato ishin të të njëjtit tip, me pajisjet e përdorura në dy sulme në Quetta, në fillim të vitit, duke lënë të vrarë mbi 120 persona.
Provinca e Balochistan-it, kryeqendra e së cilës është Quetta, është goditur shpesh nga sulmet e talebanëve, por edhe nga dhuna sektariane.
Bastisja e depos erdhi pas arrestimit të mëhershëm të 2 personave, që ngisnin një kamion me 15 ton me klorur kaliumi. Sipas raportimeve, ata kishin informuar hetuesit për prezencën e klorurit të kaliumit, amoniakut, pajisjeve shpërthyese dhe makinave për përzierjen e këtyre materialeve së bashku, në një kompleks të qytetit.
80 kuti materialesh ishin përgatitur dhe ishin bërë gati për shpërthim, nëse detonatori do u ishte bashkangjitur. Për këtë arsye 10 persona u arrestuan, tha Shah për agjencinë e lajmeve Reuters.
“I jam mirënjohës Zotit, që sot mundëm të shpëtonim Quetta-n në veçanti dhe Balochistan-in në përgjithësi, nga një aksident shumë i madh”, shtoi koloneli. Asnjë grup nuk është identifikuar si zotërues i depos me pajisje për prodhimin e bombave.
Grupi militant sunit, Lashkar-e-Jhangvi, mori përgjegjësinë e dy sulmeve të janarit, që goditi kryesisht komunitetin shiit, në lagjen Hazara të Quetta-s.
Procinca e Balochistan-it është një pikë e nxehtë e dhunës mes sunitëve dhe muslimanëve shiitë, si dhe e kryengritësve separatistë të Ushtrisë për Lirimin e Balochistanit. Talebanët janë mes organizatave të tjera militante aktive në këtë qytet.
Top Channel