Debati për heqjen e logos së Republikës së Kosovës nga fletëvotimet e zgjedhjeve të 3 nëntorit për kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, është pothuajse i kotë.

Ajo mohoi që kjo çështje të jetë diskutuar ndonjëherë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. E pyetur nga Top Channel nëse çështja e logos është hapur në Bruksel, zonja Daka tha se ka pasur përpjekje për ta futur në axhendë, por nuk është diskutuar.

“Nuk është diskutuar, thjesht është tentuar të hapet kjo temë”, tha Daka.

Këto komente kryetarja e KQZ-së i bëri në një konferencë për media që u zhvillua pas anulimit të mbledhjes së KQZ-së. Mbledhja u anulua pasi prezent ishte edhe anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cili para pak ditësh ka ofruar dorëheqjen nga ky post. Për këtë, kryetarja e KQZ-së dhe Krasniqi japin versione të ndryshme.

“Unë kam shkresën nga presidentja që nuk jeni më anëtar i KQZ-së dhe duhet të largoheni”, tha Daka, ndërsa Krasniqi nuk pranoi të largohej pasi sipas tij, një shkresë e tillë nuk i është dërguar vetë atij.

Ndryshe nga rasti i Krasniqit, i cili për arsye personale ka dhënë dorëheqjen dhe lëvizja Vetëvendosje ka propozuar menjëherë emrin e anëtarit tjetër në KQZ, më problematik duket rasti i anëtarit të AKR-së, Fadil Maloku. Maloku është ende anëtar me gjithë përpjekjet e partisë për ta zëvendësuar, pasi siç ështe thënë, Maloku nuk prezanton interesat e partisë. Z. Maloku sërish kërkoi sqarim nga kryetarja për vizitën e saj në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

Në konferencën për media, kreytarja e KQZ-së tha se në Bruksel është arritur pajtueshmëri për rolin e OSBE-së në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas saj, OSBE-ja do ta bëjë transportimin e aplikacioneve të votuesve jashtë Kosovës në Serbi dhe Mal të Zi, t’i grumbullojë në një qendër në Nish, të cilat pastaj do të sillen në qendrën e numërimit të rezultateve në Prishtinë, ku KQZ-ja do të bëjë numërimin dhe verifikimin e rezultateve.

Top Channel