Organizimi i zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në të gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun e Mitrovicës, janë në interesin e të gjithë qytetarëve, e sidomos atyre të komunitetit serb, i cili jeton në veri.
Kështu ka deklaruar gjatë së mërkurës Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që sipas saj, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje do t’u garantojë atyre që, përmes përfaqësuesve të tyre legjitim, t’i realizojnë të drejtat që u jep kushtetuta.
“Pa dashur të paragjykoj të gjithë qytetarët, e sidomos ata të komunitetit serb që jetojnë në këtë pjesë të Mitrovicës, dëshiroj të kenë një jetë normale, një jetë më të sigurt dhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhje u garanton dhe do t’u japë mundësinë që, përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë dhe legjitim, të mund t’i realizojnë të gjitha të drejtat e tyre, që janë parashikuar në Kushtetutën dhe në ligjet e vendit”, ka thënë Atifete Jahjaga.
Jahjaga ka shtuar më tej se për Kosovën është e rëndësishme të ketë zgjedhje të lira e demokratike.
“Për neve është e rëndësishme të kemi zgjedhje të lira e demokratike, që të kemi një numër sa më të madh të qytetarëve pjesëmarrës në procesin e zgjedhjeve, që është e drejtë elementare, dhe ky është provimi më i madh i demokracisë së një shteti”, theksoi Jahjaga.
Presidentja e Kosovës i bëri këto deklarata nga Peja ku, së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci, vizituan një plantacion për kultivimin e manaferrave, në kuadër të promovimit të prodhimeve vendore.
Presidentja Jahjaga ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, duke thënë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të krijojnë raporte miqësore dhe të realizohet me sukses kjo marrëveshje.
Ajo theksoi se procesi i dialogut mes dy vëndeve është një ndër alternativat e vetme për normalizimin e marrëdhënieve, si një proces që nuk ka alternativë tjetër, nëse dëshirojnë integrim në Bashkimin Europian.
Top Channel