Egjipt, ndërprerja e ndihmave, “një sinjal i keq”

21/08/2013 02:00

Vllazëria Muslimane ka dënuar arrestimin e liderit të saj, Mohammad Badie, me akuzën e nxitjes së dhunës dhe vrasjeve.

Një zëdhënës i Vllazërisë tha se arrestimi ishte pjesë e një komploti kundër revolucionit të vitit 2011, që rrëzoi ish-presidentin Hosni Mubarak. Badie u ndalua pranë vendit të një prej ish-kampeve të protestuesve në Kajro, të pastruara nga policia javën e kaluar, duke shkaktuar humbje të mëdha jetë njerëzish.

Ndërkohë, ish-zëvendës/presidenti i Egjiptit, mohamed El Baradei pritet të përballet me akuzën e shkeljes së besës kombëtare. El Baradei, i cili ka dalë jashtë vendit, u dorëhoq më 14 gusht, pasi forcat e sigurisë shpërndanë dy kampet e protestuesve në Kajro, të ngritura nga mbështetësit e presidentit të rrëzuar Mohammed Morsi.

Në një konferencë për shtyp, Khaled Hanafi, anëtar i partisë Liri dhe Drejtësi, krahu politik i Vllazërisë Muslimane, tha se organizata nuk do të heqë dorë nga kursi i saj, pavarësisht arrestimit të Badie.

“Ai është një vlerë e madhe e jona dhe ndjejmë dhimbje për të. Por, Vllazëria operon si një koalicion i të gjitha niveleve të shoqërisë dhe arrestimi i tij nuk do të ndikojë në operacionet tona, si dhe në të drejtën tonë paqësore për të protestuar për çdo gjë”, tha ai.

Badie raportohet të jetë zëvendësuar në rolin e “udhëzuesit të përgjithshëm”, nga zëvendësi i dytë i Badie, Mahmoud Ezzat, është gjithashtu subjekt i një mandat arresti. Zëvendësi i parë i Badie, Khairat el-Shater, u arrestua vetëm pak ditë pas rrëzimit të Morsi-t, më 3 korrik.

Badie, 70 vjeç, ka qenë fillimisht një figurë premtuese në kampet e protestave të Vllazërisë në Kajro, por nisi të fshihej, teksa qeveria e përkohshme e mbështetur nga ushtria përshkallëzoi përpjekjet për të ndalur protestuesit.

***

Në një tjetër zhvillim të ditës së martë, presidenti Barack Obama kryesoi një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, për të rishikuar ndihmat ndaj Egjiptit, një takim që nuk prodhoi ndryshime të menjëhershme ndaj politikave të SHBA-ve, sipas zyrtarëve.

Washington-i ka anuluar tashmë ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Egjiptin, për shkak të shpërthimit të dhunës ditët e fundit, si dhe është vënë nën presion për të ndalur gjithashtu edhe ndihmën prej 1,3 miliardë dollarësh çdo vit, që i jep ushtrisë së këtij vendi.

Po të martën, kryeministri i përkohshëm i Egjiptit, Hazem Beblawi, tha për transmetuesin amerikan “ABC News” se, çdo vendim i Washington-it për të ndalur ndihmat ushtarake ndaj Egjiptit “do të jetë një sinjal i keq, si dhe do të prekë ndjeshëm ushtrinë për pak kohë”. Por, ai shtoi se ushtria e Egjiptit do të mbijetojë.

“Mos harroni se egjiptianët përfituan ndihma ushtarake nga Rusia prej dekadash, kështu që ka disa rrugë për mbijetesën e dikujt”, shtoi ai. Beblawi mbështeti veprimet e forcave të sigurisë, në përpjekje për t’i dhënë fund protestave. Ai tha se të gjithë janë të pikëlluar për humbjet e jetëve, por qeveria nuk kishte zgjidhje tjetër, ndërkohë që autoriteti i saj u sfidua nëpër rrugë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA