Ekipi i futbollit të Afganistanit ka triumfuar 3-0 ndaj atij të Pakistanit, në një ndeshje miqësore, e para sfidë ndërkombëtare e luajtur në Kabul, prej dekadash tashmë.
Vendasit dominuan ndeshjen nga fillimit, duke shënuar plot 3 herë në portën kundërshtare dhe duke kaluar në delir mbështetësit e tyre të ngazëllyer. Kjo ishte ndeshja e parë mes dy vendeve respektive, në Kabul, pas afro 30 vjetësh.
Ndeshja u pa si një tregues se Afganistani po i rikthehet normalitetit pas dekadash të tëra lufte. Shpresat janë të mëdha, se ajo do të ndikojë gjithashtu në uljen e tensioneve politike.
Në stadiumin me kapacitet 6000 vendesh, i ndërtuar së fundi nga Federata Afganistanase e Futbollit (AFF), u panë shumë pak tifozë të Pakistanit, apo tifoze femra nga të dyja ekipet.
Liderët politik të Afganistanit dhe Pakistanit priten të takohen javën e ardhshme për bisedimet e paqes, të konsideruara tepër kritike dhe decizive. Shumë tifozë afganë e panë ndeshjen si një fitore të ëmbël ndaj kundërshtarëve të vjetër dhe “armiqësore”.
Futbolli ishte i ndaluar gjatë regjimit të talebanëve në Afganistan, nga 1996 deri në 2001, pasi gjatë asaj kohe, ata e përdornin ish-stadiumin e vjetër “Ghazi”, si një vend të posaçëm për ekzekutime, goditje dhe gjymtime.
Top Channel