Qeveria amerikane ka deklaruar se zyrtarët britanik kanë vepruar sipas kokës së tyre në lidhje me arrestimin e partnerit të gazetarit, që publikoi informacionet e spiunit amerikan, Edward Snowden.
SHBA-të këmbëngulën se nuk janë përfshirë aspak në vendimin për të arrestuar David Miranda-n, ngjarje kjo që shihet si një çështje e zyrtarëve të zbatimit të ligjit në Britani dhe vendim që është marrë “në mënyrë të pavarur nga udhëzimet tona”.
Miranda, 28 vjeç, është mbajtur në paraburgim për 9 orë nga policia e Heathrow-t, të dielën. Ai u arrestua mbi bazën e nenit 7 të Aktit kundër Terrorizmit të vitit 2000. Ky ligj lejon policinë të ndalojë dikë në një aeroport, port ose stacion ndërkombëtar hekurudhor, deri në 9 orë për marrjen në pyetje, nëse personi është përfshirë në ndonjë akt terrorizmi në botë.
“Scotland Yard” nuk ka dhënë ende detaje se mbi ç’baza u ndalua Miranda, por ka këmbëngulur se fuqia e tyre është përdorur “në mënyrë të përshtatshme dhe proporcionale”.
Miranda tha se ishte mbajtur në një dhomë dhe ishte pyetur mbi gjithçka në jetën e tij. Disa politikanë britanikë dhe një vlerësues i pavarur i legjislacionit kundër terrorizmit, David Anderson QC, kanë bërë thirrje ndaj policisë të shpjegojnë se pse u ndalua Miranda.
Ndërkohë, edhe ministri i Jashtëm i Brazilit, Antonio Patriota, e ka konsideruar ndalimin e Miranda-s, një shtetas brazilian, “të pajustifikueshëm” dhe kërkoi përgjigje nga homologu i tij britanik, William Hague.
Zyra me Jashtë e Britanisë tha se Hague kishte biseduar me Patriota-n dhe të dy “kishin rënë dakord se zyrtarët brazilianë dhe britanik do të mbeteshin në kontakte mbi këtë çështje”.
Top Channel