Muri kundër romëve, BE kritikon Sllovakinë

20/08/2013 16:25

Autoritetet e qytetit sllovak të Kosiçes informuan këtë të martë se kanë nisur një veprim ligjor për të prishur një mur që ndan familjet rome nga shumica e banorëve sllovakë të qytetit.

Ky zotim u realizua prej kryebashkiakut të Kosiçes, Richard Rasi, pas një letre të Komisioneres Europiane të Kulturës, Androulla Vassiliou.

Letër-ankesa e komisioneres u pranua nga ana e kryebashkiakut, i cili pranoi se muri shkelte ligjet europiane kundër racizmit dhe se për këtë arsye ishte i jashtëligjshëm.

Muret që izolojnë lagjet në të cilat jeton komuniteti rom kanë ngritur tensionet edhe më parë në Sllovaki.

Kosiçe, në lindje të vendit, është qyteti i dytë më i madh sllovak, pas kryeqytetit Bratisllava dhe këtë vit mban titullin e “Kryeqytetit Europian të Kulturës”.

Në regjistrimin zyrtar të popullsisë në vitin 2011, popullsia rome e Sllovakisë figuron në 106 mijë, nga 5,5 milionë që është numri i përgjithshëm i banorëve.

Megjithatë, numri i romëve në vend është objekt debatesh, me vlerësime të ndryshme që e ngrenë këtë shifër deri në 5% të popullsisë së përgjithshme, ose sa dyfishi i numrit të përgjithshëm të romëve të regjistruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA