Pas paralajmërimeve për shkarkimin e anëtarit të partisë Aleanca Kosova e Re, Fadil Maloku, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, as e propozuara e re e AKR-së, Arbërie Nagavci nuk pranon ta marrë këtë pozitë.
Shkak i këtij refuzimi është logoja e Republikës së Kosovës, e cila rrezikon të hiqet nga fletëvotimet e zgjedhjeve të 3 nëntorit si pjesë e marrëveshjes Prishtinë-Beograd.
Për këtë, zonja Nagavci ka mbajtur një konferencë për media ku thotë se refuzimi i saj është për çështje parimore dhe se ajo nuk mund të dalë kundër interesave të Kosovës.
“Duke i parë zhvillimet e fundit në KQZ, konkretisht debatet rreth heqjes së logos së Republikës së Kosovës në fletëvotime, e nëse ndodh kjo është e kundërligjshme dhe e dëmshme”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, AKR-ja ka reaguar duke thënë se Arbërie Nagavci nuk është tërhequr, por për shkak se ka shfaqur shenja të pasigurisë për angazhimin e saj në KQZ, të ndërlidhura me zhvillimin e karrierës së saj në sfera tjera, AKR ka vendosur ta nominojë një kandidat tjetër.
Presidentja e Kosoves nuk ka marrë ende vendim për shkarkimin e Fadil Malokut. AKR-ja, ndërkaq ka kërkuar shkarkimin e tij pas vlerësimit se ai nuk përfaqëson interesat e partisë në KQZ.
Kohëve të fundit, z. Maloku, i cili përfaqëson AKR-në e Behgjet Pacollit në KQZ është shfaqur mjaft kritik ndaj aktiviteteve të kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka, në bisedimet me Serbinë.
Top Channel