Greqia e ka çuar çështjen e kishës së Përmetit dhe të incidenteve të krijuara në këtë qytet në Komisionin Europian.

Eurodeputeti i “Demokracisë së Re”, Jorgos Kumutsakos, ka kërkuar një interpelancë në KE, që të dënojë ngjarjet e ndodhura në Përmet, duke pyetur në se do të përfshihen ato në raportin vjetor për ecurinë e Shqipërisë, vend që kërkon të integrohet në BE.

Jorgos Kumutsakos, që ka qenë për shumë vjet zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, thekson se një ditë pas festës së madhe fetare të ortodoksisë, asaj të Shën Mërisë, kanë ndodhur incidente të dhunshme, vandalizma dhe akte sakrilegji në kishën e Shën Mërisë, në qytetin e Përmetit.

Eurodeputeti grek ka bërë pyetje të specifikuar për incidentet e reja, sipas tij, që janë ripërsëritur të hënën, më 19 gusht, midis policisë shqiptare, klerikëve dhe besimtarëve të krishterë, ndërsa më pas është qëlluar me gurë, në mënyrë të dhunshme, edhe Konsullata greke e qytetit të Gjirokastrës.

Duke iu referuar pikërisht provokimeve, sipas tij, ndaj ortodoksëve të Përmetit dhe ecurisë europiane të Shqipërisë, Kumutsakos kërkon nga KE të përgjigjet nëse është informuar, jo vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, për këto ngjarje dhe se a do dënojë këto veprime.

Përsa i përket shtypit grek, vlen për t’u përmendur komenti i versionit elektronik të gazetës “Proto Thema” për qëndrimin e dyfishtë, sipas saj, të kryeministrit Sali Berisha, i cili nga njëra anë denoncon Athinën për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë dhe nga ana tjetër pranon se ngjarjet e Përmetit sollën në kujtesën e të gjithëve, veprimet e sistemit komunist të Enver Hoxhës.

Gjithashtu, pasi karakterizohet si tepër provokuese përgjigjja e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, gazeta thekson se ky cikël i ri tensioni, midis Athinës dhe Tiranës, po ndodh vetëm disa ditë, para se të fillojë zyrtarisht punën qeveria e re socialiste, e udhëhequr nga Edi Rama.

Është pikërisht ky ndryshim në skenën politike të shtetit fqinj, shton gazeta, që ka krijuar shpresa për përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare dhe, si shembull, jepet vizita e kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, në Athinë, disa ditë më parë si dhe takimet e tij me kryeministrin Samaras dhe zv/kryeministrin Venizellos.

Incidentet me priftërinjtë në Përmet
Reagon dhe Famulltari i Kishës Autoqefale në Elbasan, At Nikolla Marku

Në një deklaratë për mediat, ai i ka cilësuar si një grup arrogantësh të veshur me rrobën e priftit, personat të cilët ne menyre skandaloze, thekson ai, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të veshur me uniformë. Sipas At Nikolla Markut askush në Shqipëri nuk kërkon të marrë kisha me forcë në dëm të besimtarëve ortodoksë, por problemi në fjalë mund të zgjidhet përmes drejtësisë dhe jo me konflikte.

“Kush e trajton Shqipërinë si në vitet 1967 për të krijuar imazhe të rreme kundër saj? Kush i imponohet Shqipërisë por edhe kombit tonë kudo që ndodhen me shantazhe të turpshme që prej 23 vjetësh me prishje kompjuterësh në dogana, gabime në pasaporta, emërtime të gabuara, tortura psikologjike? Eshtë e qartë, Anastas Janullatosi në fe, Vangjel Dule në politikë, OMONIA me minoritetin grek, e mbështetur nga Agimi i Artë në Greqi, por edhe nga politika greke pjesërisht e çoroditur për shkak të krizës. Kjo bandë me disa priftërinj të shitur në dëm të Shqipërisë po kurdisin ngjarje të turpshme, të rrezikshme. Ata që ushtrojnë dhunë si në rastin e Përmetit nuk janë as priftërinj dhe as besimtarë, ata janë bandidë të paguar dhe të udhëzuar nga Janullatos. Askush në Shqipëri nuk kërkon të marrë Kisha me forcë në dëm të besimtarëve ortodoksë, por problemi me Shtëpinë e Kulturës në Përmet është çështje që zgjidhet me drejtësi dhe jo me konflikt”, thotë At Nikolla Marku.

At Nikolla Marku thekson se Bashkia e Permetit, duhet te kishte gjetur nje zgjidhje alternative per pretendimin e saj, por megjithate shton ai nderhyrja e Kishes Ortodokse greke dhe e Ministrise se Jashtme e ketij vendi ne punet e brendshme te shtetit dhe Kishes Shqiptare eshte e papranueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA