Kancelarja Angela Merkel do të vizitojë kampin e përqendrimit nazist të Dakaut këtë të martë, në vizitën e parë të kësaj natyre të një kreu të shtetit gjerman.
Ajo pritet të mbajë një fjalim, në të cilin do të flasë për rrezikun e vazhdueshëm që përbën e djathta ekstreme, përpara se të bëjë një tur rreth kampit ku u vranë disa dhjetëra mijëra persona.
Vizita e Merkelit do të pasohet nga një takim elektoral, në një tendë birre aty pranë.
Rivalët politikë e konsideruan këtë vizitë si “pa gusto”. “Nëse me të vërtetë dëshiron t’i kushtosh respekt viktimave të nazimit, nuk vizitohet kampi në fushatë elektorale”, deklaroi kundërshtarja Renate Kuenast, e Partisë së Gjelbërt.
Max Mannheimer, presidenti 93-vjeçar i Komitetit të ish-të Burgosurve të Dakaut, prej kohësh kishte lobuar për të realizuar këtë vizitë nga kancelarja, në kampin e ndodhur në jug të Gjermanisë.
Ai e konsideroi vizitën e ardhshme si “historike” dhe një shenjë “e qartë respekti e shtetit gjerman, ndaj atyre që vuajtën dënimet në Dakau”.
Top Channel