Egjipt, arrestohet lideri shpirtëror Badie

20/08/2013 03:00

Forcat e sigurisë së Egjiptit kanë arrestuar liderin shpirtëror të Vllazërisë Muslimane, Mohamed Badie, në një apartament rezidencial në Kajro, gjatë orëve të para të së martës, raporton televizioni shtetëror i Nilit.

Ai u arrestua në rajonin Nasr të kryeqytetit, pa bërë aspak rezistencë, sipas të njëjtit televizion, i cili citon zëdhënësin e Ministrisë së Brendshme, Abdel Fattah Othman. Badie akuzohet për nxitje të dhunës.

Arrestimi i tij vjen pasi Egjipti vazhdon të mbetet “një fuçi baruti”, duke qenë se 25 ushtarë janë vrarë
të hënën, në një pritë në gadishullin Sinai, ndërsa ish-diktatori Hosni
Mubarak ka fituar pafajësinë pas akuzave për korrupsion.

Militantë të armatosur me granata dhe raketë-hedhëse sulmuan dy autobusë me forca sigurie dhe vranë ushtarët në qytetin e Rafah, në kufirin mes Egjiptit dhe Gazës, raporton kanali shtetëror me emrin e lumit Nil.

Presidenti i përkohshëm i Egjiptit, Adly Mansour, ka deklaruar 3 ditë zie për ushtarët e vrarë në Sinai.

Gadishulli Sinai është një zonë e pakontrolluar si dhe ka qenë arenë e sulmeve të vazhdueshme, edhe përpara trazirave të fundit në Egjipt. Në maj, 7 ushtarë egjiptianë u morën peng dhe u mbajtën për 6 ditë, tha një zëdhënës i forcave të armatosura të Egjiptit.

Por, sulmet e fundit shtojnë tensionin e vazhdueshëm kudo në vend, që prej rrëzimit nga ushtria të presidentit të zgjedhur në rrugë demokratike, Mohamed Morsi, pas një grusht shteti.

Gjatë javës së kaluar, rreth 900 persona, civilë dhe personel sigurie, u vranë gjatë përleshjeve që shpërthyen pas përdorimit të forcës nga ushtria për të pastruar dy kampet e mbështetësve të Morsi-t në Kajro, të mërkurën, dhe pas dhunës në demonstratat e tyre gjatë së premtes.

Të dielën, të paktën 37 të burgosur, anëtarë të lëvizjes islamike Vllazëria Muslimane, rapotohen të jenë vrarë, në atë që Ministria e Brendshme e quajti përpjekje për t’u arratisur nga burgu.

Agjencia shtetërore e lajmeve “EgyNews” raportoi se të burgosurit ndërruan jetë nga asfiksimi prej gazit lotsjellës dhe nga shkelja e njëri-tjetrit, ndërsa zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Egjipt urdhëroi arrestimin e dy oficerëve të policisë, gjatë së hënës, për përfshirjen e tyre në incident. Edje 3 oficerë të tjerë policie, që u shtruan në spital të plagosur nga incidenti, do të qëndrojnë të ndaluar përgjatë hetimeve.

Sa i përket pritës në Sinai, Vllazëria Muslimane dënoi sulmin ndaj ushtarëve egjiptianë. “Protestat tona paqësore janë më të forta se çdo armë tjetër, ndaj dhe nuk pranojmë asnjë lloj dhune”, tha Murad Mohamad Ali, këshilltar për median i partisë “Liri dhe Drejtësi”.

Ndërkaq, prokurorët egjiptianë kanë shtuar periudhën e paraburgimit të Morsi-t, për 15 ditë të tjera, për shkak të hetimeve të vazhdueshme. Ata e akuzojnë Morsi-n për pjesëmarrjen në burgosjen, torturimin, vdekjen dhe përpjekjeve për vrasje të civilëve egjiptianë, dhënien e lajmeve false ndaj autoriteteve influencuese të drejtësisë gjatë hetimit dhe nxitjen e bandave për përdorimin e forcës për të terrorizuar civilët.

Masat e ashpra të ushtrisë çuan edhe në thirrjen e një prej senatorëve më me emër amerikanë, John McCain, për të ndaluar ndihmën prej 1,3 miliardë dollarë ndaj Egjiptit. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë dështuar të ndjekin ligjet e tyre, që kërkojnë pezullimin e ndihmave ndaj shteteve, ku qeveritë rrëzohen nga një grusht shteti, edhe pse SHBA-të nuk e kanë përshkruar zyrtarisht ndryshimin e regjimit në Egjipt si “grusht shteti”.

“Ne nuk kemi besueshmëri. Kemi influencë, por kur nuk mund ta përdorim atë, atëherë është njësoj si të mos e kishim fare”, theksoi McCain, gjatë së dielës, për CNN.

Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se presidenti Obama ka theksuar se “çdo aspekt” i marrëdhënieve SHBA-Egjipt është në rishikim. Mesazhi i SHBA-ve ndaj zyrtarëve egjiptianë ka qenë i vazhdueshëm: “Qeveria e përkohshme duhet t’i rikthehet një përqasjeje gjithpërfshirëse për pajtimin në Egjipt”.

Top Channel