Kryeministri serb Ivica Daçiç ka deklaruar se Beogradi zyrtar nuk do t’i ftojë serbët e Kosovës të dalin në zgjedhje nëse në fletëvotime do të jenë shenjat e Republikës së Kosovës.

Lajmin e përcjellin mediat serbe që citojnë gjithashtu kreun e ekzekutivit të Serbisë të pohojë se ndërrimi i funksionarëve serbë në veri ka të bëjë me ata që i vendos qeveria e Serbisë e jo me përfaqësues të komunave serbe.

Ai kujtoi se me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, do të takohet më 27 gusht e dy ditë më vonë Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të debatojë për Kosovën.  Sakaq, serbët e jugut të Kosovës do të marrin pjesë në një listë të harmonizuar me shtetin serb në zgjedhjet e Kosovës. Krerët e këtij të fundit janë takuar me përfaqësuesit e komunave serbe në jug të Kosovës, pra ata që deri tani kanë qenë besnikë ndaj Beogradit dhe nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës.

Në takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e 25 komunave, ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm kryetarët e komunave që tashmë marrin pjesë në institucione. Krerët e Serbisë u kanë premtuar serbëve se pjesëmarrja në zgjedhje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, me sa duket serbët do të kenë disa fraksione. Në njërën anë do të jenë komunat që deri tani kanë qenë paralele, listat zgjedhore që kanë qenë në parlamentin e Kosovës, serbët e veriut që kanë refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe serbët që deri tani i kanë takuar partive që janë të afërta më opozitën e Serbisë.

Top Channel