CIA ka publikuar dokumente, në të cilat pranon për herë të parë formalisht rolin e saj kyç në grushtin e shtetit të vitit 1953, pas të cilit u rrëzuar kryeministri iranian, i zgjedhur në rrugë demokratike, Mohammad Mossadeq.
Dokumentet u publikuan nga Arkiva e Sigurisë Kombëtare, një institut i pavarur, në 60-vjetorin e grushtit të shtetit në Iran. Ato vijnë nga historia e brendshme e Iranit në CIA, nga mesi i viteve 1970.
“Grushti i shtetit të ushtrisë u krye nën drejtimin e CIA-s, si një akt i politikës së jashtme të SHBA-ve”, bëhet i ditur në një ekstrakt të dokumenteve.
Rolit të SHBA-ve në atë grusht shteti i janë referuar haptazi ish-Sekretarja e Shtetit të asaj kohe, Madeleine Albright, në vitin 2000, por edhe presidenti Barack Obama në fjalimin e 2009-s në Kajro.
E megjithatë, deri më tani agjencitë e inteligjencës kanë refuzuar vazhdimisht rolin e tyre, thotë një redaktor i dokumenteve “pa zot”, Malcolm Byrne.
Kjo përbën herën e parë, që CIA ka pranuar vet pjesën e rolit të luajtur në bashkëpunim me agjencinë e inteligjencës britanike, MI6.
Byrne tha se dokumentet janë të rëndësishme, jo vetëm se japin “specifika të reja të njohurive mbi veprimet e agjencisë së inteligjencës, para dhe pas operacionit”, por sepse “partizanët politik të të gjitha krahëve, përfshi qeverinë iraniane, e kanë quajtur rregullisht grusht shteti”.
Dokumentet janë marrë nga NSA, bazuar mbi Aktin e Lirisë së Informacionit.
Iranianët zgjodhën Mossadeq në 1951 dhe veprimi i parë i tij ishte rishtetëzimi i prodhimeve të naftës në vend, që kishte qenë nën kontrollin e Britanisë përmes Kompanisë Anglo-Persiane të Naftës, që më vonë u quajt “British Petroleum”.
Ai veprim ishte një burim shqetësimesh serioze për SHBA-të dhe Britaninë, që e shihnin naftën iraniane si një element kyç për rindërtimin ekonomik të tyre pas-lufte. Lufta e Ftohtë ishte gjithashtu një faktor deciziv në përllogaritjet e tyre.
Top Channel