
Deputeti i Partisë Socialiste, Auron Tare, konfirmon se në muajin
shtator qeveria e re do të nisë aksionin për prishjen e ndërtimeve pa
leje në bregdetin shqiptar.
Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Tare thekson se këtij aksioni do t’i paraprijë krijimi i autoritetit shtetëror të bregdetit, një njësi operative që do të merret ekskluzivisht me problemet e shumta që ka bregdeti shqiptar.
Sipas Tares, puna nuk do të fokusohet vetëm te prishja e ndërtimeve, por dhe tek elemente të tjera të rëndësishme, siç janë mbrojtja e pronës publike në bregdet, ruajtja e karakterit të saj natyror dhe vënia e saj në dispozicion të publikut. Sipas Tares, çështja e bregdetit duhet të trajtohet si një çështje e rëndësisë kombëtare.
Deputeti socialist thekson se ai e vlerëson nismën e kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të jenë pjesë e mbrojtjes së bregdetit përmes denoncimeve të tyre. Tare siguron se dhe qytetarët skeptikë për këtë proces do të kenë mundësi të shohin se qeveria e re do t’ia arrijë t’i japë fund njëherë e mirë zaptimit të bregdetit shqiptar.
Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, menjëherë sapo fitoi zgjedhjet e 23 qershorit vendosi si prioritet çështjen e sistemimit të bregdetit dhe pastrimin nga ndërtimet pa leje. Gjatë fushatës elektorale, Rama lançoi idenë e krijimit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, e cila, së bashku me Agjencinë e Pronave, do të jenë dy nga institucionet më aktive në vënien në jetë të programit të Rilindjes.
Deputeti aktual i PS-së, Auron Tare, mandati i të cilit mbaron më 9 shtator, edhe pse nuk u përfshi në listën e parlamentit të ri, pritet të jetë një nga njerëzit e rëndësishëm të ekzekutivit të ri, sipas gjasave në fushën ku ai është kompetent. Tare ka një eksperiencë të rëndësishme bashkëpunimi me Edi Ramën, në fund të viteve ‘90, kur kryeministri i ri, mbante postin e ministrit të Kulturës. Auron Tare menaxhoi projektin e ringritjes së parkut arkeologjik të Butrintit dhe për disa vite ishte një nga njerëzit kryesor të menaxhimit të trashëgimisë kulturore të vendit.
Z. Tare, si e shikoni nismën e fundit të kryeministrit të zgjedhur për sa i përket denoncimit të vetë qytetarëve për ndërtimet pa leje në bregdet. Çfarë pritet të sjellë kjo nismë krahasuar nga ato dhe çdo të sjellë të re?
Auron TareNjë gjetje interesante, e cila do të pasohet edhe nga mënyra të tjera për ta bërë qytetarin aktiv në mbrojtjen dhe zhvillimin e bregdetit tonë. Gati një milion shqiptarë votuan për një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri normale, ku qytetari është pjesë e zhvillimit të vendit të tij. Përse të na duket çudi që ai që do të drejtojë këtë vend për katër vitet e ardhshme të fillojë punën e tij duke përfshirë qytetarët në vendimmarrje? Mendoj se është herët për të thënë se çfarë do të jetë ndryshe nga herët e tjera. Do të flasim përsëri kur njerëzit të fillojnë dhe ta prekin realisht ndryshimin. Jam i bindur se shumë qytetarë janë skeptikë dhe duan të shikojnë fakte konkrete të ndërhyrjes shtetërore për shqetësimet e tyre. Duke filluar t’i përfshijmë ata në këtë ndryshim të madh dhe duke reaguar konkretisht në terren, do të fillojmë të krijojmë besimin e tyre.
Në informacionet tuaja, kur mund të jetë fillimi i ndërhyrjeve masive në bregdetin shqiptar dhe çfarë do të bëhet për mijëra ndërtimet pa leje në qytete të ndryshme të vendit?
Ndërhyrja në bregdet do të fillojë në shtator me krijimin e autoritetit shtetëror të bregdetit, një njësi operative që do të merret ekskluzivisht me problemet e mëdha të bregdetit shqiptar. Ngritja e një institucioni të tillë ishte një nga premtimet e Partisë Socialiste në fushatë dhe siç e shikoni, ky premtim bëhet realitet menjëherë. Me krijimin e këtij institucioni do të fillojë puna për identifikimin e problemeve të mëdha që ka sot bregdeti shqiptar dhe dhënies së zgjidhjeve reale për përmirësimin e situatës aktuale. Ndërtimet pa leje sigurisht do të prishen pa asnjë mëdyshje, por problem nuk janë vetëm ndërtimet pa leje. Janë një sërë çështjesh shumë më të mprehta dhe më të thella, të cilat e dëmtojnë seriozisht ndërtimin e një turizmi modern në bregdetin shqiptar. Mbrojtja e pronës publike në bregdet, ruajtja e karakterit të saj natyror dhe disponueshmëria e saj për nevojat publike duhet të jenë çështje të rëndësisë kombëtare.
Cilat janë garancitë se kjo nismë e marrë nga kryeministri i ri do të jetë e qëndrueshme dhe për vitet që vijnë dhe kur mund të shpëtojë Shqipëria nga ky fenomen që nuk po gjen ndalim?
Garancia është vetëm ndryshimi që do të shikoni në terren.
Këta 20 vjet ka pasur shumë nisma, shumë projekte, shumë fjalë, të cilat kanë rezultuar një dështim total i çdo mënyre menaxhimi të bregdetit. Qeveria që po ikën e ka dëmtuar seriozisht bregdetin shqiptar me mënyrën e saj jashtë çdo logjike normale të mirëmenaxhimit të aseteve publike të një vendi. Bregdeti shqiptar është përdorur për nevojat e klientëve të qeverisë pa pasur asnjë dëshirë për të kuptuar se bregdeti shqiptar është një pasuri publike që u përket edhe brezave që do të vijnë pas nesh. Duhet të kemi parasysh se e drejta për të përdorur zonën bregdetare është një privilegj dhe jo dëshirë e një qeverie kushdo qoftë ajo. Ky privilegj nuk mund të jepet me mendjelehtësi dhe pa asnjë përgjegjshmëri, pasi ajo efektivisht kufizon të
drejtën e publikut për të shijuar bregdetin. Për këtë arsye, përdorimi i saj me sa më shumë kujdes dhe vizion për sot dhe për brezat që do të vijnë, është garancia e duhur se fenomeni i zaptimit të bregdetit do të marrë fund përgjithmonë.
Top Channel