Serbia nuk ka dhënë përgjigje nëse ka pranuar ose jo draft-marrëveshjen e ofruar nga Bashkimi Europian për telekomin, ndonëse janë bërë më shumë se një javë që kur afati për të dhënë përgjigje ka kaluar.

Një zyrtar i Qeverisë së Kosovës ka thënë për “Top-Channel” se nga Brukseli janë njoftuar se “Beogradi nuk ka kthyer përgjigje”.

Më 27 gusht, në Bruksel do të takohen sërish Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, nën ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton.

Mbajtja e një takimi të tillë është konfirmuar për “Top-Channel” nga Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës.

E pikërisht njëra nga temat e këtij takimi do të jetë arritja e marrëveshjes në fushën e energjisë dhe telekomunikacionit, por do të diskutohen edhe çështje të tjera.

“Takimi i radhës në nivel të kryeministrave do të mbahet më 27 gusht. Temë kyçe do të jetë arritja e marrëveshjeve në fushën e energjisë dhe telekomunikacionit; zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit, me theks të veçantë në sektorin e sigurisë dhe drejtësisë si dhe zgjedhjet lokale të 3 nëntorit”, ka thënë Çollaku.

Ai ka paralajmëruar edhe takime të tjera të këtij niveli, pas kësaj date. Sipas tij, “kjo nënkupton se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë”.

Në bazë të deklaratave të zyrtarëve qeveritar, sipas draft-marrëveshjes, Kosova pritet të marrë kodin unik shtetëror ndërkombëtar telefonik dhe se parashihet një zgjidhje për komunitetin serb në Kosovë, sipas së cilës bëhet fjalë për “zgjidhje për një operator të limituar në hapësirë dhe në kohë të përkohshme për komunitetin serb në Kosovë”.

Po sipas tyre, “ky operator do të jetë i themeluar, i regjistruar dhe i licencuar në Republikën e Kosovës dhe do të operojë sipas ligjeve dhe kornizës rregullative të Kosovës”.

Sipas marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, Kosova pritet të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së, Suedia ose Austria.

Top Channel