Një skuadër e Organizatës së Kombeve të Bashkuara nisi këtë të hënë një hetim në Siri, me qëllim përcaktimin nëse janë përdorur apo jo armë kimike gjatë luftës së përgjakshme civile në vend.
Siç ka paralajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ekspertët nuk do të publikojnë raporte të pjesshme mbi gjetjet e tyre dhe do të dalin me një raport përfundimtar, vetëm pasi të përfundojë i gjithë hetimi.
Siria, prej më tepër se dy vitesh mbetet e përfshirë në një luftë shkatërrimtare, që i ka marrë jetën mbi 100 mijë personave, ka shpërngulur në mërgim miliona të tjerë dhe që ka shkatërruar tërësisht ekonominë kombëtare.
Në qershor, presidenti Obama deklaroi se regjimi i Bashar al-Assadit kishte “tejkaluar vijën e kuqe”, kufirin e ndërhyrjes dhe mosndërhyrjes që SHBA kishte përcaktuar në këtë konflikt, duke përdorur armë kimike.
Megjithatë, të dhënat kontradiktore sugjerojnë se mund të kenë qenë kryengritësit ata që e kanë bërë këtë gjë ose të dyja palët njëkohësisht.
Qeveria e Damaskut ka dalë garante për mbrojtjen dhe shoqërimin e skuadrës së OKB-së, në destinacionet siriane që ata do të duhet të vizitojnë për të realizuar hetimin e tyre.
Top Channel