Përmbytjet, 20 mijë rusë braktisin shtëpitë

19/08/2013 15:35

Më shumë se 20 mijë persona u shpërngulën nga banesat e tyre në Rusinë Lindore, ku lumi Amur ka dalë nga shtrati pas disa ditësh rreshje të dendura.

Ushtria dhe punonjësit e emergjencës kanë ngritur 166 streha të përkohshme në tre rajone, ku banorët furnizohen rregullisht me ushqime, ujë të pijshëm e medikamente, nën mbikqyrjen e mjekëve.

Megjithatë, televizioni “Vesti TV” raportoi se autoritetet janë të shqetësuar për një numër personash, që pavarësisht kërcënimit evident të banesave të tyre nga uji, refuzojnë për momentin që të evakuohen.

Krahinat e Amurit dhe Khabarovskut, pranë kufirit kinez, janë ato që janë dëmtuar më rëndë, ndërsa përmbytjet e mëdha janë duke shkaktuar probleme edhe në Kinë.

Si lumi Amur, ashtu edhe dega e tij e Zejës kanë arritur nivelin më të lartë në 120 vitet e fundit.

Deri më tani, dëmi është përllogaritur në rreth 100 milionë dollarë.

Top Channel