Lideri i “Boko Harram” vritet në luftim

19/08/2013 21:20

Lideri i grupit islamik terrorist “Boko Harram”, Abubakar Shekau, mund të jetë vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me ushtrinë nigeriane, informoi të hënën një zëdhënës i qeverisë.

Një raport i shërbimeve sekrete vendase mbështet informacionet se Shekau mund të ketë vdekur midis datave 25 korrik deri në 3 gusht, në një seri përballjesh që militantët patën me forcat shtetërore.

“Boko Harram”, një grup terrorist i përqendruar në zonat veriore me përqendrim më të lartë musliman në vend ka shpallur një luftë kundër shtetit që prej vitit 2009.

I konsideruar shpesh një “filial” i “Al-Kaedës”, organizata kërkon vendosjen e ligjit islamik dhe krijimin e një shteti fetar në vendin më të populluar të Afrikës, me mbi 140 milionë banorë.

Nga fillimi i aktivitetit, grupimi ka njohur një rritje të ndjeshme të forcës, favorizuar edhe nga paqëndrueshmëria dhe trafiku i armëve që favorizoi lufta në Libi dhe Mali.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar Shekaun si një prej personave më të rrezikshëm në botë, patën vendosur një dëmshpërblim prej shtatë milionë dollarësh për kokën e tij.

“Boko Harram” konsiderohet përgjegjës për qindra pengmarrje, sulme, shpërthime e atentate kamikaze, në të cilat kanë humbur jetën me mijëra nigerianë.

Top Channel