Shumë pushues kanë nisur të largohen nga zona turistike e Golemit, të lodhur nga premtimet për investime dhe shërbime bazë komunitare.
Investimi i Bankës Botërore për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza nuk u bë funksional as këtë vit. Projekti është ndërprerë pa realizuar rrjetin dytësor të kanalizimeve që mundëson lidhjen e godinave të shumta me rrjetin kryesor të shkarkimit të ujërave të zeza dhe impiantin e përpunimit të tyre në Shënavlash të Durrësit që u përurua në pranverë.
Në Golem ujërat e zeza janë të pranishme ngado, duke kutërbuar në gjithë zonën, ku ndodhen të akomoduar mijëra pushues.
“Vitin tjetër do të shkojmë në Vlorë. Ndoshta kthehemi këtu pas 20 vitesh”, shprehen pushuesit kosovarë e maqedonas.
Edhe banorë e frekuentues të rregullt të këtij plazhi ndjehen të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura dhe të rrezikuar nga niveli i lartë i ndotjes.
Ndërsa në rrugën që kalon mes godinave dhe lokaleve të shërbimit, disa punëtorë të komunës së Golemit kanë nisur të sistemojnë me zhavorr rrugën ku ende dergjen ujërat e zeza, në plazh ato derdhen në mes të ditës në det. Asnjë strukturë, agjenci ekzekutive, qofshin vendore apo qendrore, nuk ndërhyn më për ndëshkimin e subjekteve që bëjnë derdhje në det.
“Kam ardhur nga Italia, por shumë i ndotur ambienti këtu. Do iki”, shprehet një tjetër pushues.
Pranë Ujësjellës-Kanalizimeve Kavajë thonë se përgjegjësia lidhet me ndërprerjen e investimit për rrjetin e kanalizimeve dhe kur ky rrjet nuk ekziston nuk ka si të mirembahet. Askush nuk di të japë përgjigje zyrtarisht për ndërprerjen e investimit, ku kanë përfunduar fondet e dhëna për zbatimin e plotë të tij.
Top Channel