Ish-presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, mund të jetë në prag të lirimit nga burgu ku po vuan dënimin e përjetshëm, një vendim që nëse do të jetësohet përbën një kthesë dramatike të ngjarjeve të dy viteve të fundit në vendin me 84 milionë banorë.
85-vjeçari u rrëzua pas 32 vitesh në pushtet në shkurt 2011, nga protesta të dhunshme në të cilat mbetën të vrarë rreth 860 persona, të paktën zyrtarisht dhe u dënua me burgim të përjetshëm një vit më pas për rolin që kishte pasur në këto vrasje e korrupsion.
Megjithatë, një rigjykim liroi sot Mubarakun nga akuzat e përvetësimit të fondeve shtetërore dhe sipas avokatit mbrojtës, ai do të lihet krejtësisht i lirë brenda 48 orëve të ardhshme.
Një kthesë e tillë dramatike, në një kohë kur vendi është i përfshirë në protesta të reja të përgjakshme për shkak të heqjes nga detyra të presidentit Morsi, më parë gjatë korrikut, rrezikon të fuqizojë tensionet në vend.
Gjatë regjimit të Mubarakut, Vëllazëria Muslimane ishte e nxjerrë jashtë ligjit dhe ai konsiderohet si një figurë e urryer, prej shumicës muslimane të popullsisë dhe mbështetësve të Vëllazërisë e partive salafiste në vend.
Top Channel