Tashmë pak ka mbetur: më 5 nëntor, New York-u voton për kryebashkiakun e ardhshëm.
Megjithatë, përpara kësaj duhet të kalohet sprova e paraprakeve. Republikanë e demokratë përgatiten për 10 shtatorin, dita kur do të çelen qendrat e votimit.
Cilido qoftë pasardhësi i Michael Bloomberg do të gjendet përballë një trashëgimie të rëndësishme. Mjaft i vlerësuar nga të dy kampet, sepse edhe zgjedhja e tij dy herë radhazi nuk ishte e rastësishme, kryetari aktual i Bashkisë së New York-ut i ka marrë frerët e saj që më 1 janar 2002, duke u ulur në poltronin e Rudi Giuliani-t, pak muaj pas sulmeve të 11 shtatorit.
Punën e tij e lartëson, pak para zgjedhjeve lokale, një prej gazetave më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara dhe në botë.
Në faqen e tij të internetit, “New York Times” ka publikuar një hartë tridimensionale, e cila ilustron rimodelimin e bërë në New York nga Bloomberg.
Harta e së përditshmes, historikisht liberale, tregon qytetin bardh e zi dhe mbi këtë sfond kontrastojnë me të kuqe ndërtesat e reja, ndërsa me portokalli janë ngjyrosur zonat e rikualifikuara.
Nëse klikon mbi detaje, shfaqen foto të metropolit, si ka qenë përpara Bloomberg-ut e si është tani.
Me pak fjalë, një model grafiku për të shpjeguar më qartë, përmes pamjeve, si ka arritur kryetari i Bashkisë të realizojë ndryshime të qënësishme në peisazhin e qytetit, duke i shtuar parqe, shëtitore, stadiume e ndërtime të reja.
Top Channel