Korea e Veriut është pajtuar me propozimin koreano-jugor për rinisjen e bashkimit të familjeve të ndara në dy anët e kufirit, që prej luftës së viteve 1950-1953.
Media shtetërore në Penjan njoftoi se takimet familjare do të mbahen në një rezort turistik të shtetit komunist, pas mesit të shtatorit.
Episodi i fundit i kësaj natyre daton në 2010-n. Që prej atëherë, koreanët e ndarë nga lufta nuk kanë pasur mundësi tjetër për të takuar të afërmit e tyre dhe vetëm tani, falë një apeli të presidentes së Koresë së Jugut, Park Geun-hye, javën e kaluar, ky shteg hapet sërish.
Tensionet mes dy vendeve janë lehtësuar disi, pasi arritën kulmin muaj më parë, duke i çuar shtetet fqinje në prag konflikti.
Me fundin e luftës së viteve ’50, shumë familje u ndanë në gadishullin korean, ku dy palët vazhdojnë të mbeten teknikisht në luftë, për shkak se përplasjet mes tyre u fashitën me një armëpushim, por nuk u nënshkrua kurrë një traktat paqeje.
Penjani, nga ana e tij, kërkon me këtë rast edhe rinisjen e udhëtimeve turistike në Kumgang.
Rezorti, i shndërruar në të parin projekt të përbashkët madhor mes dy kombeve, ka pritur me mijëra vizitorë koreano-jugorë në periudhën e viteve 1998-2008, por rrugëtimet atje u pezulluan, pasi një ushtar koreano-verior qëlloi për vdekje një turist, që hyri në një zonë ushtarake.
Top Channel