Peshkataret spanjollë i bënë realitet paralajmërimet e tyre për të lundruar në ujrat e Gjibraltarit, në shenjë proteste ndaj barrierës artificiale të vendosur atje, prej qeverisë lokale të territorit britanik.
Ata thonë se 70 blloqet e betonit të hedhura në det u kufizojnë të drejtën për të peshkuar, ndërsa pala tjetër argumenton se barriera do të ndihmojë lulëzimin e jetës nënujore.
Në vendngjarje, situata përshkruhet si kaotike, me varkat e peshkatarëve dhe ato të rojes bregdetare që i afrohen kërcënueshëm njëra-tjetrës.
Prania policore në zonë është shtuar ndjeshëm. Mosmarrëveshjet, që vazhdojnë prej javësh, kanë shkaktuar tensione të mëdha mes Britanisë, Gjibraltarit dhe Spanjës.
Qeveria spanjolle e akuzon Gjibraltarin për krijimin e një barriere, pa autorizimin e nevojshëm, në ujrat që nuk janë të tij. Në kundërpërgjigje të këtij veprimi, dëmtues sipas protestuesve për të gjithë industrinë e peshkimit në zonë, Madridi zyrtar ka vendosur taksa doganore mjaft të larta për banorët e Gjibraltarit, që hyjnë në Spanjë.
Lëvizja e tij shkaktoi reagimin e ashpër të Londrës, që akuzon nga ana e saj Spanjën për shkelje të rregullave të lëvizjes së lirë në Bashkimin Europian.
Dy ditë më parë, kryeministri britanik David Cameron i telefonoi presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, për t’i përcjellë shqetësimet e thella, që kanë krijuar kontrollet kufitare shtesë të Spanjës, të cilat i cilëson politikisht të motivuara dhe të palogjikshme.
Gjibraltari, një territor nën sovranitetin e Britanisë që prej 1713-s, shtrihet në skajin jugor të Gadishullit Iberik e ka një pozicion gjeografik kyç, për faktin se kontrollon hyrjen e anijeve në Detin Mesdhe.
Spanja e ka kërkuar prej dekadash të tëra kthimin e territorit të pushtuar dhe nuk e njeh sovranitetin e Britanisë mbi të.
Top Channel