Lideri i agjencisë së privatizimeve në Greqi është shkarkuar.
Ministri i Financave të Greqisë, Yannis Stournaras ka bërë thirrje për dorëheqjen e Stelios Stavridis, pas një raportimi se ai kishte udhëtuar me një avion, që i përkiste një biznesmeni, i cili bleu firmën e kumarit OPAP nga shteti.
Stavridis ishte në detyrë prej vetëm 4 muajsh, por u përball me kritika në lidhje me hapat e ngadalta të privatizimit. Javën e kaluar, Athina finalizoi shitjen e kompanisë Opap, të zotëruar nga shteti deri atëherë.
Një grup investitorësh grekë dhe europiano-lindorë ofruan 650 milionë euro për 33% të aksioneve shtetërore në kompani. Mes investitorëve, përfshihet edhe pronari grek i anijeve, Dimitris Melissanidis, në avionin privat të të cilit akuzohet se ka hipur edhe Stavridis.
Stavridis kishte transformuar me sukses Bordin e Ujit në Athinë, përpara se të emërohej në krye të Fondit të Zhvillimit të Aseteve të Republikës Helenike (HRADF).
Objektivi financiar për shitjen e aseteve shtetërore këtë vit është përcaktuar 2,6 miliardë euro, por parashikohet që shifrat përfundimtare të jenë 1 miliardë euro më pak.
Në fillim të vitit, përpjekjet për të sistemuar DEPA-n, njësinë kombëtare të gazit, duke e shitur te blerësi i propozuar Gazprom krijoi një debat mbi dominimin e Rusisë për ndihmat energjitike në Europë.
Gjithsesi, Stavridis tha për BBC, përpara një muaji, se shitja e aseteve shtetërore do të siguronte një të ardhur neto prej 4,5 miliardë euro, deri në vitin 2014.
Top Channel